Më 9-10 shtator 2013, IGJK në bashkëpunim me Projektin e Binjakëzimit i financuar dhe menaxhuar nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë realizoi një trajnim dy ditor me gjyqtarët e caktuar si koordinatorë të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.Qëllimi i këtij trajnimi ishte krijimi i praktikave më të mira në drejtim të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështjet e ekstradimit dhe ekzekutimit të vendimeve të huaja.
Gjatë trajnimit nga ekspertët ndërkombëtar u prezantua dhe u diskutua për parimet themelore të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në rastet e ekstradimit, specifikën e këtyre rasteve dhe rasteve të krimit të organizuar. Gjithashtu në fokus ka qenë edhe ekzekutimi i vendimeve të huaja, dënimet dhe konvertimi dënimeve, mundësia e përdorimit të video konferencave, kanalet dhe rrjetet e komunikimit si dhe kriteret për kërkesat lidhur me ndihmën juridike në këto raste. Pas përfundimit të trajnimit gjyqtarët e caktuar si persona kontaktues për çështjet e Bashkëpunimit Juridik Ndërkombëtar kanë realizuar takime regjionale me ekspertët ndërkombëtar me qëllim të koordinimit dhe bashkëpunimit në lidhje me rastet aktuale.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarët e caktuar si persona kontaktues në çështjet e Bashkëpunimit Juridik Ndërkombëtar dhe zyrtarët policor nga Zyra Koordinuese në mes policisë vendore dhe ndërkombëtare.
10-09-2013