Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

18-12-2013

Vizita e delegacionit nga Shkolla Nacionale e Magjistraturës së Francës në Institutin Gjyqësor të Kosovës

Me 18 dhjetor 2013, Institutin Gjyqësor të Kosovës e vizitoi një delegacion nga Shkolla e Magjistraturës së Francës. Delegacioni u prit nga Drejtori i IGJK-së, U.D i Koordinatorit të Programit dhe Udhëheqësi i Programit për Hulumtime dhe Publikime. Qëllimi i vizitës ishte njohja me trajnimin gjyqësor në Kosovë, me ç’rast u diskutua për bashkëpunimin reciprok dhe planifikimin e mbështetjes së IGJK-së në të ardhmen.

Struktura organizative, funksionimi dhe programet trajnuese të IGJK-së u prezantuan nga Drejtori me fokus në trajnimin fillestar. Me këtë rast pati diskutime dhe pyetje të ndryshme nga mysafirët lidhur me reformën e sistemit gjyqësor, procedurën e rekrutimit të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë, mënyrën e vlerësimit dhe të monitorimit të tyre si dhe zbatimin e trajnimit fillestar. Me këtë rast mysafirët nga Franca patën mundësinë të shohin për së afërmi trajnimin e kandidatëve në programin fillestar që po zhvillohej në IGJK

Në fund të takimit, përfaqësuesit nga Shkolla e Magjistraturës dhe Drejtori i IGJK-së u pajtuan që të nënshkruajnë një Marrëveshje Bashkëpunimi.
Delegacioni francez gjithashtu u takua edhe me udhëheqësen e ekipit të projektit të BE-së për reformën e arsimimit ligjor i cili po mbështetë IGJK-në si dhe me përfaqësues të Prokurorisë së Shtetit dhe Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Shpërndaje :