Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

01-09-2021

Program i Specializuar Trajnimi Krimi i organizuar dhe korrupsioni – Sesioni III

Më 01-02 Shtator 2021, Akademia e Drejtësisë në kuadër të Programit për Trajnime të Vazhdueshme (PTV), në bashkëpunim me OSBE-në kanë realizuar trajnimin me temë “Program i Specializuar Trajnimi  Krimi i organizuar dhe    korrupsioni – Sesioni III”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve lidhur me veprat penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe zbatimi i drejtë i dispozitave ligjore për zgjidhjen meritore të rasteve përkatëse.

Trajnimi u fokusua në trajtimin e çështjeve që kanë të bëjnë me Konfiskimin e pasurisë së fituar me anë të veprës penale sanksionet penale kundër kryerësve të veprave penale të krimit të organizuar, si dhe lidhjet ndërmjet krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Me rastin e realizimit të trajnimit, kanë rezultuar këto rekomandime: 

Vepra penale e krimit të organizuar është vepër e vetme penale (solo) dhe nuk ndan fatin e veprës penale të ndërlidhur. Parashkrimi i ndjekjes penale llogaritet duke u bazuar në dënimin e përcaktuar për veprën penale të krimit të organizuar e jo për vepër të ndërlidhur. Kualifikimi juridik i veprës penale të krimit të organizuar mundë të bëhet vetëm si vepër penale e krimit të organizuar pa theksuar edhe veprën penale të ndërlidhur, për faktin se kjo vepër është vepër e posaçme  - e vetme dhe ka elementet e saja ligjore. Nëse bëhet kualifikimi vetëm për veprën penale të krimit të organizuar, atëherë në përshkrim faktik të veprës penale duhet të përmenden elementet e veprave penale të ndërlidhura, për të cilat përcaktohet dënimi së paku prej 4 vite burgim.  

Kur kemi të bëjmë me vepër penale të krimit të organizuar të gjitha format e bashkëpunimit në kryerjen e veprës penale nuk aplikohen, pasi që ekzistimi i dashjes apo dijenisë për kryerjen e veprës penale të krimit të organizuar konsumon format e bashkëpunimit. Pra, për shembull çdo veprim në ndihmë dhe bashkëkryerje tek vepra penale e krimit të organizuar nuk aplikohet sepse konsiderohet se nëse e ka dashjen apo dijeninë për ta dhënë këtë ndihmë, ai është pjesë e grupit kriminal të organizuar dhe krimit të organizuar. 

Ndihma në veprën penale të krimit të organizuar nuk mundë të kryhet, pasi që nëse ekziston dijeni dhe dashja për ta ndihmuar krimin e organizuar, kryerësi - ndihmësi është kryes i vepërs penale të krimit të organizuar, nëse nuk vërtetohet se kryesi ka pasur dijeni apo dashje të ndihmoj krimin e organizuar, por ka ndihmuar veprën penale të ndërlidhur - bazë, atëherë ai ka kryer ndihmë në veprën penale bazë - të ndërlidhur, por jo në krim të organizuar.     

Ngritja e aktit akuzues për vepër penale të krimit të organizuar me vepër penale të ndërlidhur pastrimin e parasë, mundë të ngritët pasi që ekziston edhe një vendim i gjykatës së Apelit (EULEX), ku të akuzuarit janë shpallur fajtor dhe gjykuar. Në këtë çështje ka mendime në favor dhe kundër këtij qëndrimi, mirëpo është kërkuar nga pjesëmarrësit që trajnuesit e kësaj fushe ta studiojnë këtë çështje me detaje dhe nëse ka nevojë të filloj debati për këtë çështje.    

Nuk mundë të ri-kualifikohet vepra penale e krimit të organizuar në veprën penale të bashkimit kriminal në rast se nuk vërtetohet krimi i organizuar, pasi që bashkimi kriminal e inkriminon vetëm krijimin e grupit kriminal apo marrëveshjes për krijimin e grupit kriminal, por jo edhe kryerjen e veprës penale, nëse nuk vërtetohet se është kryer vepra penale e krimit të organizuar atëherë duhet të vërtetohet vepra bazë - e ndërlidhur, e nëse ajo vërtetohet, atëherë duhet të shpallet fajtor për këtë vepër.    

Vepra penale e korrupsionit nuk mundë të kryhet me dashje dhe atë në dy format e dashjes atë direkte dhe eventuale, por nuk mundë të kryhet nga pakujdesia, pasi që ligji shprehimisht përcakton se cilat vepra penale mundë të kryhen nga pakujdesia dhe se ligji në veprat e korrupsionit element kyç e ka përcaktuar dashjen dhe atë duke përmendur taksativisht.

Nxjerrja e komunikimeve nga aplikacionet si Viber etj., pas konfiskimit - sekuestrimit të pajisjes kompjuterike - elektronike, duhet të bëhet me vendim gjyqësor pasi që cenohet privatësia dhe nuk përfshihet në ekzaminimin e pajisjes, pasi që ekzaminim i pajisjes është ekzaminimi i pajisjes dhe nxjerrje e të dhënave të cilat janë të ruajtura në memorien e pajisjes e jo në aplikacione të komunikimit. Pra nxjerrja e komunikimeve nga pajisjet e sekuestruara - konfiskuara (duke përfshirë e platformat e komunikimit si Viber etj.) duhet ta ndajnë të njëjtin fat sikurse nxjerrja e komunikimeve nga operatorët telefonik. Në këtë çështje ekzistojnë mendime pro dhe kundër, mirëpo nga trajnimi ka dalur si rekomandim, që kjo çështje nëse ka nevoj ti drejtohet Gjykatës Supreme, për ri-konsiderimin e mendimit judirik të dhënë më herët, pasi që cenohet privatësia dhe se ka mbrojtje nga neni 36 i Kushtetutës. Mbrojtje të privatësisë si qasje e kanë edhe shumë shtete të regjionit, ku kërkohet urdhër nga gjykata pasi që po cenohet privatësia e komunikimeve të qytetarëve.       

Përfitues të këtij trajnimi ishin 46 pjesëmarrës, prej tyre 2 gjyqtarë nga Gjykata e Apelit dhe 31 gjyqtarë nga Gjykatat Themelore si dhe 1 prokuror nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dhe 12 prokurorë nga Prokuroritë Themelore.

 

Shpërndaje :