Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

12-12-2014

Konferenca Rajonale “Neni 10 i Konventës Evropiane të Drejtave të Njeriut dhe përvojat rajonale”

Më datë 5 dhe 6 dhjetor 2014 në Shkup të Maqedonisë, Këshilli i Evropës në bashkëpunim me Akademinë për Gjyqtar dhe Prokuror të Maqedonisë ka organizuar Konferencën Rajonale me temë “Neni 10 i Konventës Evropiane të Drejtave të Njeriut dhe përvojat rajonale”.

Vendosja e bashkëpunimit të rregullt dhe krijimi i rrjeteve rajonale për të promovuar praktikat më të mira dhe zhvillimin e jurisprudencës në lidhje me lirinë e shprehjes dhe të drejtën e respektimit të jetës private dhe familjare ishin pikat e përbashkëta të trajtimit të kësaj konference rajonale.

Në këtë konferencë u ritheksua se liria e shprehjes përbën një nga themelet thelbësore të një shoqërie demokratike, një nga kushtet bazë për progresin e saj dhe për zhvillimin e çdo qenieje njerëzore. Shtypi luan një rol të spikatur në një vend të qeverisur nga shteti ligjor.

Në këtë konferencë ishin angazhuar edhe dy gjyqtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut të cilat trajtuan çështjet të cilat kanë të bëjnë me rastet të cilat janë gjykuar nga gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në lidhje me cenimin e lirisë së shprehje. Ato theksuan se liria e shprehjes është një e drejtë në vetvete si dhe një komponent e të drejtave të tjera të garantuara nga Konventa, e cila duhet të respektohet denjësisht.

Nga kjo konferencë dolën disa rekomandime për të gjitha vendet e rajonit të cilat shprehën interesimin për ngritjen e bashkëpunimit rajonal nëpërmjet organizimit të konferencave të përbashkëta rajonale.

Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues të vendeve nga rajoni i Evropës Juglindore, ndërsa në delegacionin nga Kosova mori pjesë një përfaqësues i Institutit Gjyqësor të Kosovës.

Shpërndaje :