05-03-2017

Komunikatë për media

Me datë 03 prill 2017, në Akademinë e Drejtësisë, u mbajt takimi i parë konstitues i Këshillit Drejtues të Akademisë së Drejtësisë.

Sipas agjendës së përcaktuar për këtë takim, fillimisht anëtarët e Këshillit Drejtues u njoftuan me zhvillimet në Akademinë e Drejtësisë dhe procesit të transformimit, pastaj në mënyrë unanime anëtarët e Këshillit Drejtues zgjodhën Kryesuesin dhe Zëvendës kryesuesin e Këshillit Drejtues.

Kryesues i Këshillit Drejtues të Akademisë së Drejtësisë u zgjedh z. Aleksandër Lumezi, Kryeprokuror i Shtetit, ndërsa zëvendës kryesues z. Driton Muharremi, gjyqtar në Gjykatën e Apelit.

Këshilli Drejtues i Akademisë së Drejtësisë, bazuar në Ligjin nr. 05/L-095 për Akademinë e Drejtësisë, përbehet nga nëntë (9) anëtarë. Kryeprokurori i Shtetit dhe Kryetari i Gjykatës Supreme janë anëtarë ex-officio të Këshillit Drejtues, ndërsa tre (3) anëtarë emërohen nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, tre (3) anëtarë emërohen nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, dhe një (1) anëtar emërohet nga Ministria e Drejtësisë.

Në takimin e parë, Këshilli Drejtues sipas agjendës miratoi Raportin Vjetor të Punës të  Institutit Gjyqësor të Kosovës për vitin 2016, dhe formoi Komisionin për Çështje Normative të Akademisë së Drejtësisë, si dhe mori disa vendime tjera nga kompetenca e vet ligjore me qëllim të funksionimit të Akademisë së Drejtësisë, siç është përcaktuar me ligj.

Këshilli Drejtues i Akademisë së Drejtësisë si organi më i lartë drejtues i Akademisë, është kompetent për udhëheqjen e Akademisë. Sipas ligjit Këshilli Drejtues i Akademisë së Drejtësisë, brenda afatit prej 6 muajsh do të miratoj të gjitha aktet nënligjore të përcaktuara me ligj, të cilat edhe përfundojnë infrastrukturën e duhur ligjore për transformimin e IGJK-së në Akademi të Drejtësisë. Ky takim është hapi i parë në procesin e transformimit. 

Shpërndaje :