31-08-2026

Shpallje Publike për angazhimin e autorëve në hartimin e botimeve profesionale të Akademisë së Drejtësisë

AKADEMIA E DREJTËSISË - THIRRJE PUBLIKE PËR HARTIMIN E BOTIMEVE

Për angazhimin e autorëve në hartimin e botimeve profesionale të Akademisë së Drejtësisë

Akademia e Drejtësisë, në përputhje me mandatin e saj ligjor për zhvillimin profesional të sistemit gjyqësor dhe prokurorial, është e angazhuar në zhvillimin e veprimtarisë botuese në funksion të avancimit të praktikës gjyqësore dhe prokuroriale, unifikimit të zbatimit të ligjit dhe zhvillimit të literaturës juridike në Republikën e Kosovës.

Në zbatim të Planit të Botimeve të Akademisë së Drejtësisë si të miratuar nga Këshilli Drejtues, për përzgjedhjen e autorëve, Akademia shpall Thirrje Publike për angazhimin e autorëve në hartimin e botimeve profesionale, duke ftuar gjyqtarët, prokurorët, profesorët universitarë, studiuesit dhe profesionistët e tjerë të fushës juridike që, përmes ekspertizës së tyre, të kontribuojnë në zhvillimin e literaturës juridike me interes për sistemin e drejtësisë.

Bazuar në procesin e vlerësimit të nevojave për botime juridike për vitin 2026, të realizuar nga Akademia e Drejtësisë në bashkëpunim me përfaqësues të sistemit gjyqësor dhe prokurorial, janë identifikuar temat me prioritet për zhvillimin e botimeve profesionale.

Botimet kanë për qëllim trajtimin e çështjeve me rëndësi praktike për sistemin gjyqësor dhe prokurorial, duke ofruar analiza juridike, trajtim të praktikës gjyqësore vendore dhe ndërkombëtare, si dhe rekomandime që kontribuojnë në zbatimin e njëtrajtshëm të legjislacionit dhe harmonizimin e praktikës gjyqësore në përputhje me standardet evropiane.

1. Temat me prioritet sipas planit për botime të Akademisë për vitin 2026

Autorët mund të aplikojnë për një ose më shumë nga temat me me prioritet të Planit të Botimeve 2026:

  • Përmbledhje me raste nga praktika gjyqësore e drejtësisë për fëmijë;
  • Veprat penale kundër integritetit seksual, me fokus dhunimet ndaj fëmijëve;
  • Përgjegjësia penale e personave juridikë;
  • Praktikat për masat e diversitetit;
  • Ndërmjetësimi në çështje familjare dhe vendimi i gjykatës në raport me marrëveshjen e ndërmjetësimit;
  • Përmbledhje e vendimeve gjyqësore në fushën e lirisë së shprehjes nga gjykatat vendore;
  • Doracak/Praktikum lidhur me marrëveshjen për pranimin e fajësisë;
  • Doracak/Praktikum lidhur me masat për sigurinë e të pandehurit respektivisht masën e  paraburgimit.

Thirrja publike iu drejtohet në radhë të parë:   

  • gjyqtarëve dhe prokurorëve me përvojë në fushat përkatëse dhe komunitetit tjetër ligjor;
  • profesorët universitarë;
  • profesionistët e tjerë me përvojë dhe ekspertizë në fushën përkatëse.

2. Dokumentacioni për aplikim dhe Procesi  i përzgjedhjes së  autorëve për hartimin e botimeve

Kandidatët e interesuar duhet të dorëzojnë:

  • një letër motivimi duke përfshirë përvojën akademike, përvojën praktike në fushën që është objekt i botimit dhe botimet eventuale nëse ka;
  • një koncept për temën e përzgjedhur për botimin.

Koncepti i temës se përzgjedhur për botim mund të përfshijë, ndër të tjera:

  • qasjen e propozuar për trajtimin e temës;
  • objektivat e botimit;
  • strukturën orientuese të përmbajtjes;
  • metodologjinë e punës;
  • burimet kryesore që planifikohet të përdoren;
  • afatin orientues për përfundimin e dorëshkrimit.

Pas përfundimit të afatit për aplikim, Akademia e Drejtësisë bën verifikimin administrativ të aplikimeve dhe përgatit përmbledhjen e dokumentacionit të kandidatëve që plotësojnë kushtet e përcaktuara në këtë thirrje.

Përmbledhja e aplikimeve për hartim të botimeve i paraqitet Këshillit Drejtues të Akademisë së Drejtësisë për shqyrtim dhe përzgjedhje.

Këshilli Drejtues merr vendim për angazhimin e autorëve për botimet duke marrë në konsideratë:

  • ekspertizën profesionale të kandidatëve;
  • përvojën profesionale dhe akademike;
  • përvojën praktike në fushën që është objekt i botimit;
  • cilësinë dhe relevancën e konceptit të propozuar,

Akademia e Drejtësisë rezervon të drejtën të mos angazhojë autor për një ose më shumë tema, nëse vlerëson se aplikimet e paraqitura nuk paraqesin interes për Akademinë apo nuk përmbushin standardet profesionale dhe akademike të kërkuara.

3. Mbështetja nga Akademia e Drejtësisë në hartimin dhe publikimin e botimeve

Për autorët e angazhuar, Akademia e Drejtësisë do të sigurojë:

  • koordinimin profesional të procesit të hartimit;
  • lekturimin gjuhësor;
  • përgatitjen grafike dhe faqosjen;
  • botimin në format fizik dhe elektronik;
  • promovimin dhe shpërndarjen institucionale të botimit.

Hartimi i dorëshkrimeve në kuadër të kësaj thirrjeje realizohet mbi bazën e kontributit profesional dhe vullnetar të autorëve dhe pa kompensim financiar në hartimin e dorëshkrimeve për botim.

4. Të drejtat dhe obligimet e autorëve të përzgjedhur

Autorët e angazhuar do të lidhin marrëveshje me Akademinë e Drejtësisë, me të cilën do të rregullohen të drejtat dhe obligimet e ndërsjella lidhur me hartimin, dorëzimin, lektorimin dhe botimin e dorëshkrimit.

 

Hartimi i dorëshkrimeve në kuadër të kësaj Thirrjeje Publike realizohet mbi bazën e kontributit profesional dhe vullnetar të autorëve dhe nuk përbën bazë për kompensim financiar nga Akademia e Drejtësisë.

 

Akademia e Drejtësisë do të mbulojë shpenzimet që lidhen me redaktimin profesional, lekturimin gjuhësor, përgatitjen grafike, botimin në format fizik dhe elektronik, si dhe promovimin institucional të botimeve.

5. Afati dhe mënyra e aplikimit

Aplikimet duhet të dorëzohen në format elektronik në adresën:

luljete.hetemi@rks-gov.net

duke specifikuar në subjektin e emailit temën për të cilën aplikohet.

Afati i fundit për paraqitjen e aplikimeve është 20 shtator 2026.(llogaritur - thirrja publike nga 31 gusht - 15 ditë pune).

Shpërndaje :