Me 02 shkurt 2015, Drejtori i Institutit Gjyqësor të Kosovës dhe Udhëheqësi i Programit të Trajnimit të Vazhdueshëm qëndruan për vizitë në Shkollën e Magjistraturës së Shqipërisë.
Qëllimi i vizitës ishte intensifikimi i bashkëpunimit në mes të dy institucioneve të trajnimit gjyqësor. Në këtë aspekt Drejtorët e institucioneve respektive shprehen gatishmërinë dhe vullnetin e tyre për angazhim në hartim të programeve konkrete të shkëmbimit si të gjyqtarëve dhe prokurorëve, po ashtu edhe të trajnuesve të këtyre institucioneve.
U shpreh gatishmëria që pas shkëmbimit të programeve trajnuese të këtyre institucioneve, në trajnimet që janë me interes të përbashkët për gjyqësorin e të dy vendeve të ftohen në trajnime nga 2 -3 përfitues. Po ashtu u vlerësua se një trajnim i trajnuesve me përfitues të të dy vendeve është shumë i nevojshëm dhe një kontribut i çmueshëm në avancimin e metodologjisë trajnuese të institucioneve respektive. Organizimi i një konference të përbashkët rreth bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, po ashtu është një tjetër aktivitet që do të mund të organizohet. Fusha e publikimeve është një tjetër temë ku mund të intensifikohet bashkëpunimi.
Gjithashtu përfaqësuesit e IGJK-së morën pjesë në prezantimin e një përmbledhje të vendimeve gjyqësore të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë për periudhën 2010 – 2014.
Për realizim të këtyre aktiviteteve u vlerësua se është e nevojshme të hartohet një program detaj me aktivitete.
02-02-2015