Me 10 shkurt 2015, Instituti Gjyqësor i Kosovës ka organizuar tryezën e diskutimeve lidhur me Hetimin dhe Gjykimin e rasteve të Terrorizmit.
Në fokus të tryezës ishin sfidat, problemet dhe praktikat aktuale në luftimin e veprave penale terroriste.
Panelistët dhe pjesëmarrësit në këtë tryezë fillimisht prezantuan sfidat dhe problemet që ballafaqohen në hetimin dhe gjykimin e këtyre veprave, duke u nisur edhe nga fakti se veprat e kësaj natyre janë relativisht të reja në praktikën gjyqësore.
Në këtë kuadër, hetimi dhe gjykimi i terrorizmit u trajtua në aspektin e kornizës ligjore në vend, profesionalizmit të gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe resurseve të nevojshme për luftimin e kësaj dukurie.
Pjesëmarrësit argumentuan se disa norma ligjore janë të ngurta dhe jo mjaftueshëm përkrahin luftimin e terrorizmit. Në kohën kur kemi rritje të këtij fenomeni dhe përvoja në luftën e këtyre veprave është jo e konsoliduar, nevojitet që prokurorët dhe gjyqtarët të specializohen në këtë fushë dhe të merren vetëm me lëndë të kësaj natyre. Në këtë aspekt u shtrua nevoja që krahas prokurorisë speciale të themelohet edhe një departament për rastet e terrorizmit në Gjykatën Themelore të Prishtinës që do të trajtonte vetëm lëndët që vijnë nga kompetenca e kësaj prokurorie.
Në kontekst të resurseve u vlerësua se duhet të rritet numri i prokurorëve në Prokurorinë Speciale përfshirë dhe rritjen e burimeve materiale për prokurorët e kësaj prokurorie. Për shkak të lidhjes së ngushtë me punën e prokurorëve dhe ndikimit në përshpejtimin e procesimit të rasteve në gjykatë u vlerësua se duhet të rritet numri i të punësuarve dhe të ngritët profesionalizmi e pajisjet teknike të Agjencioni i Forenzikës,
Bashkëpunimi juridik me shtetet tjera në kërkimin e provave dhe shkëmbim të informacioneve për këto raste është i domosdoshëm dhe duhet të intensifikohet më tutje.
Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin gjyqtarët dhe prokurorët vendor dhe të EULEX-it.
10-02-2015