Më 18 shkurt 2015, Instituti Gjyqësor i Kosovës me mbështetjen e UNICEF-it ka realizuar trajnim dy ditor me temë “Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve pa kujdes prindëror”.
Qëllimi dhe rëndësia e trajtimit të kësaj teme qëndron në faktin se numri i fëmijëve pa përkujdesje prindërore është vazhdimisht në rritje dhe roli i gjykatës dhe organit të kujdestarisë në trajtimin e këtyre rasteve është thelbësor.
Realizimi i trajnimit kishte për synim ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe shkathtësive praktike të gjyqtarëve pjesëmarrës në interpretimin e drejtë të dispozitave ligjore lidhur me rolin e gjykatës dhe organit të kujdestarisë në procedurën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve pa kujdes prindëror dhe të analizojnë rrethanat për vendosje në interesin më të mirë të fëmijës.
Gjatë këtij trajnimi u elaborua adoptimi si formë e veçantë e kujdesit të fëmijëve pa kujdes prindëror përfshirë rolin dhe rëndësinë e adoptimit dhe kompetencën e gjykatës rreth vendosjes të rastet e adoptimit. Në këtë kontekst u trajtua legjislacioni i zbatueshëm vendor dhe ndërkombëtar tek adoptimi. Po ashtu u trajnimi u fokusua në shtjellimin e kushteve se kush mund të jetë i adoptuari dhe adaptuesi sipas dispozitave të Ligjit për Familjen i Kosovës, inicimi, shqyrtimi i propozimit për themelimin e adoptimit, procedura dhe pjesëmarrësit në procedurën gjyqësore për themelim të adoptimit.
Në ditën e dytë punimet u fokusuan kryesisht në temat lidhur me vendosjen e fëmijës në familjen tjetër si formë e organizuar shoqërore e përkujdesjes ndaj fëmijëve pa kujdes prindëror dhe roli i Qendrës për Punë Sociale ku u potencua rëndësia dhe nevoja e ngritjes së kapaciteteve njerëzore dhe materiale dhe avancimi profesional i zyrtarëve të këtyre qendrave.
Kujdestaria si institut me karakter shoqëror, organi i kujdestarisë si organ kompetent për mbrojtje të drejtave të fëmijëve dhe mënyrat e ushtrimit të kujdestarisë, ishin tematika që po ashtu u shtjelluan. Në këtë pjesë po ashtu u diskutua në lidhje me ushtrimin, pezullimin, kufizimin dhe heqjen e të drejtës prindërore.
Me theks të veçantë u diskutua për mënyrat e marrjes në pyetje dhe metodat e komunikimit të gjykatës me fëmijët në procedurat gjyqësore me qëllim të parapërgatitjes së fëmijës ku u shtrua nevoja e organizimit të një trajnimi për gjyqtar në lidhje me intervistimin e fëmijëve në procedurën gjyqësore.
Trajnimi u zhvillua me diskutime interaktive të përcjella me raste nga praktika aktuale dhe detyra praktike.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarët e Gjykatave Themelore.
18-02-2015