Më 24 shkurt 2015, Instituti Gjyqësor i Kosovës në bashkëpunim me Programin për legjislacion komercial CLE-USAID ka realizuar trajnimin për gjyqtar me temë “Kontabiliteti- një sfidë për gjykim të drejtë”.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve në analizimin dhe përmbajtjen e të dhënave të kontabilitetit si prova me rastin e marrjes së vendimeve në kontestet ekonomike.
Në veçanti u trajtuan tema që ndërlidhen me zhvillimin dhe analizën e pasqyrave financiare duke përfshirë bilancin e gjendjes, pasqyrën e të hyrave dhe deklaratën e rrjedhjes së parasë, ku u prezantuan disa raste nga auditimi i të dhënave financiare.
Baza apo parimi akrual që përfshinë të hyrat që realizohen dhe shpenzimet akruale, dallimi në mes të Zyrës së Auditorit Gjeneral dhe kompanive private të auditimit ishin disa nga çështjet tjera që u theksuan në trajnim.
Trajnimi u zhvillua me diskutime interaktive ku u theksuan sfidat dhe problemet që hasin gjyqtarët në zgjidhjen e kontesteve në praktikën aktuale gjyqësore.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë të Gjykatës Supreme, Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Themelore - Departamenti për Çështje Ekonomike.
24-02-2015