Më 25 shkurt 2015, Instituti Gjyqësor i Kosovës me mbështetjen e Thomson Fondation, ka realizuar trajnimin për “Standardet e GJEDNJ-së lidhur me shpifjen”.
Ky trajnim kishte për qëllim informimin e pjesëmarrësve mbi shpifjen nga konteksti i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe zbatimi i praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në atë vendore.
Gjatë këtij trajnimi u elaborua korniza ligjore vendore dhe praktika gjyqësore e Kosovës lidhur me shpifjen, padia për shpifjen si një “armë” moderne e figurave publike kundër gazetarëve hetues, liria e shprehjes si një nga themelet bazë të një shoqërie demokratike dhe e drejta e qasjes në dokumente publike.
Në këtë trajnim prezantoi edhe një eksperte ndërkombëtare e ligjit për media e cila u fokusua kryesisht në standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për ligjin kundër shpifjes përfshirë këtu elementet bazë apo mjetet për të paraqitur aplikacionin në Gjykatën Evropiane dhe procesi i shqyrtimit të një rasti nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Rastet nga praktika e kësaj gjykate ishin pjesë përbërëse e këtij trajnimi.
Përgjegjësia e gazetarit në publikimin e artikujve dhe zbulimi i burimit të informacionit ishin tema që po ashtu u trajtuan në trajnim.
Pjesëmarrësit u ndanë në grupe punuese dhe zhvilluan simulim të gjykimit pranë Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për dy raste studimore të përcaktuara nga trajnuesit.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë, prokurorë, këshilltarë ligjor nga Gjykata Kushtetuese, avokatë, anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave dhe anëtarë të Këshillit të Mediave të Shkruara.
25-02-2015