Me 6 dhe 7 mars 2015, në Beograd u mbajt Forumi i Dytë Rajonal për Sundim të Ligjit për Evropën Juglindore i organizuar nga Qendra AIRE nga Londra dhe Civil Rights Defenders.
Qëllimi i Forumit dyditor ishte promovimi i zbatimit të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), forcimi i bashkëpunimit rajonal përmes zhvillimit të vazhdueshëm të sundimit të ligjit dhe të të drejtave të njeriut, si dhe përmirësimi i procesit të integrimeve evropiane në Evropën Juglindore. Gjithashtu u trajtuan pengesat kyçe për një zbatim efektiv në nivel kombëtar, posaçërisht të nenit 6 të KEDNJ.
Në këtë forum morën pjesë delegacione të Gjykatave të Larta dhe Gjykatave Kushtetuese të Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Kroacisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Po ashtu pjesëmarrës ishin edhe gjyqtarët e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut që vijnë nga vendet e përmendura, përfaqësuesit e akademive dhe institucione për trajnim gjyqësor dhe institucioneve gjyqësore, agjentët e qeverive para GJEDNJ si dhe përfaqësues të sektorit joqeveritar.
Gjatë diskutimeve u potencuan tendencat aktuale në praktikën e GJEDNJ lidhur me të drejtën në gjykim të drejtë, numrin e madh të ankesave nga shtetet e regjionit, rolin dhe rëndësinë e devijimit-shmangies nga praktika e rregullt, problemeve me mosekzekutimin e vendimeve gjyqësore, qasjes në gjykatë dhe aspektet tjera të cilat kanë të bëjnë me barazinë e palëve në procedurë.
Me këtë rast, u promovua Baza e të Dhënave rajonale e cila përmban jurisprudencën e GJEDNJ-së në gjuhët përkatëse amtare si rezultat i bashkëpunimit në mes të ekipit ligjor të Qendrës AIRE me anëtarët e qeverive nga rajoni në Strasburg. Kjo Bazë e të Dhënave do t’iu mundëson gjykatësve, prokurorëve dhe praktikuesve të tjerë ligjor qasje më të lehtë në jurisprudencën e GJEDNJ-së në gjuhët rajonale dhe do të ndihmon si një resurs në përforcimin e zbatimit të Konventës në nivel kombëtar.
Në këtë forum IGJK mori pjesë në cilësinë e institucionit për trajnime gjyqësore dhe u përfaqësua nga një trajnues i përhershëm.
07-03-2015