Më 24 mars 2015, Instituti Gjyqësor i Kosovës ka realizuar trajnimin e radhës me temë “Anulimi i kontratave“.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte t’iu mundësoj pjesëmarrësve të njohin më mirë kushtet ligjore të cilat duhet të plotësohen për tu konsideruar një kontratë nule dhe e rrëzueshme dhe të zbatojnë drejtë dispozitat e Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve që kanë të bëjnë me pavlefshmërinë e kontratave.
Punimet në këtë sesion trajnues u fokusuan në trajtimin e kontratave nule me theks të veçantë shkaqet e nulitetit dhe personat që kanë të drejtë të kërkojnë nulitetin e kontratave, pasojave të nulitetit të kontratave absolutisht nule dhe pasojat e nulitetit të kontratave pjesërisht të pavlefshme.
Gjithashtu u trajtuan edhe kontratat e rrëzueshme ku u debatua lidhur me pasojat e nulitetit të këtyre kontratave, personat që kanë të drejtë të kërkojnë anulimin e këtyre kontratave dhe parashkrimi i së drejtës së kërkimit të anulimit të kontratës.
Konversioni material dhe jo material dhe format e shprehjes së tij po ashtu ishin çështje që u trajtuan, me ç’ rast diskutimi u fokusua në kushtet për vlefshmërinë e ndonjë kontrate tjetër dhe efektet juridike të konversionit.
Në pjesën e fundit të trajnimit pjesëmarrësit u angazhuan për zgjidhje të rasteve hipotetike të parashtruara nga trajnuesit lidhur me identifikimin e nulitetit dhe anulimin e kontratave.
Përfitues të këtij trajnimit ishin gjyqtarë të gjykatave themelore.
24-03-2015