Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

17-07-2022

Trajnim i Trajnuesve për Ndërmjetësim

Nga data 14 korrik e deri më 17 korrik, Akademia e Drejtësisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Shërbimin Federal të Ndërmjetësimit dhe Pajtimit (FMCS) të SHBA-së, të mbështetur dhe të financuar nga Zyra për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe të Zbatimit të Ligjit (INL) pranë Ambasadës së SHBA-së, ka zhvilluar sesionin e dytë të Trajnimit të Trajnuesve për Ndërmjetësim.

Trajnimi ishte vazhdimësi e sesionit të I-rë të zhvilluar në Maj, të cilin janë duke e vijuar 15 ndërmjetësues nga regjione të ndryshme të Republikës së Kosovës, me të cilët synohet të krijohet një kuadër i profesionalizuar i trajnuesve nga fusha e Ndërmjetësimit.

Sesioni i II-të i trajnimit ishte i fokusuar në çështjet Pronësore, Familjare dhe Komerciale, me ç’rast i gjithë trajnimi ishte i kombinuar me raste praktike, dhe me role simuluese nga të gjithë pjesëmarrësit, duke u ndarë në grupe punuese.

Përveç ekspertëve nga SHBA, z. Peter Swandon dhe znj. Emily Rife, trajnimi u begatua edhe nga ekspertja nga Sllovenia znj. Simona Frumen, e cila shpalosi njohuritë e saj në çështjet e Ndërmjetësimit nga fusha Civile/Pronësore, Komerciale dhe Familjare.

Gjithashtu në ditën e fundit, trajnimit i’u bashkëngjit edhe Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Albert Zogaj, i cili së bashku me pjesëmarrësit diskutoi rreth hartimit të marrëveshjeve të ndërmjetësimit, duke dhënë shembuj të marrëveshjeve të mira dhe të dobëta, dhe duke diskutuar rreth shqetësimeve të përbashkëta.

Përfitues të Trajnimit ishin 15 ndërmjetësuesit e përzgjedhur për Programin Trajnues të Ndërmjetësimit.

Shpërndaje :