Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

01-04-2015

Masat e fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimit

Më 01 prill 2015, Instituti Gjyqësor i Kosovës në kuadër të PTV-së ka realizuar trajnimin me temë “Masat e fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimit”.

Ky trajnim kishte për synim të ndihmoj pjesëmarrësit në njohjen e kornizës ligjore e cila përcakton mënyrën e lëshimit të masave të fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimit, vlerësimin e kushteve për lëshimin e këtyre masave, hartimin e urdhrave për zbatim të këtyre masave dhe përmbajtjen e kërkesës për marrjen e këtyre urdhrave.

Gjatë këtij trajnimi u trajtua rëndësia e këtyre masave dhe zbatimi i tyre në praktikë, personat e autorizuar për lëshimin e këtyre masave, llojet e masave dhe fazat e hetimit gjatë të cilave ato mund të autorizohen.

Në këtë rrafsh u elaboruan kompetencat e policisë, prokurorit të shtetit dhe gjyqtarit të procedurës paraprake.

Çështje tjera që u diskutuan ishin raportimi i zyrtarit, që aplikon masën e tillë, tek gjyqtari i procedurës paraprake dhe përgjigja e tij me shkrim, përdorimi i transkripteve si provë në procedurën paraprake dhe selektimi i materialeve të përgjuara për përdorim të vetëm atyre materialeve që lidhen me çështjen për të cilën është lëshuar urdhri.

Me këtë rast u potencua nevoja për pajisje të nivelit më të lartë për zbatim të drejtë dhe të suksesshëm të këtyre masave.

Metodologjia e trajnimit ishte një kombinim i teorisë dhe rasteve praktike të parashtruara nga trajnuesit me qëllim të kontributit në unifikimin e praktikës gjyqësore lidhur me këtë fushë.

Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarët dhe prokurorët e nivelit themelor.

Shpërndaje :