Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

08-04-2015

Mbrojtja e të dhënave të personave ndaj të cilëve zhvillohet procedura penale dhe burimeve të informacionit të gazetarisë

Më 08 prill 2015, Instituti Gjyqësor i Kosovës në bashkëpunim me Thomson Fondation ka realizuar trajnimin me temë “Mbrojtja e të dhënave të personave ndaj të cilëve zhvillohet procedura penale dhe burimeve të informacionit të gazetarisë”.

Ky trajnim i realizuar kishte për synim të avancoj njohuritë profesionale të pjesëmarrësve  lidhur me zbatimin e praktikave më të mira në trajtimin e të dhënave personale të personave ndaj të cilëve zhvillohet procedura penale dhe njohjen me praktikat gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në këtë trajnim u trajtua Ligji për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarisë dhe roli i Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në mbrojtjen e informacionit personal.

Në këtë trajnim prezantoi edhe një eksperte ndërkombëtare e cila u fokusua në trajtimin e praktikës gjyqësore dhe standardeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut me qëllim të informimit të pjesëmarrësve me praktikat më të mira në lidhje me mbrojtjen e të dhënave dhe burimeve dhe përfshirja i këtyre praktikave në praktikën gjyqësore aktuale vendore.

Roli dhe rëndësia e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në lirinë e shprehjes dhe shtypit të lirë, roli i mediave dhe kufijtë të cilat ato duhet ti respektojnë lidhur me lirinë e shprehjes dhe ndikimi i shtetit në mbrojtjen e burimit ishin tema që po ashtu u trajtuan gjatë trajnimit.

Në këtë kontekst u trajtuan edhe urdhri nga ana e gjykatës për zbulimin e burimit të informacionit dhe urdhri për shpalosje të dokumenteve kur ekziston interesi i madh i publikut lidhur me çështje të caktuara.

Pjesëmarrësit u ndanë në grupe punuese dhe zhvilluan simulime të gjykimit pranë Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për dy raste studimore të përcaktuara nga trajnuesit.

Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë, prokurorë,  avokatë, anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave, anëtarë të Këshillit të Mediave të Shkruara dhe përfaqësues nga BIRN.

Shpërndaje :