Më 14 prill 2015, Instituti Gjyqësor i Kosovës në bashkëpunim me programin për legjislacion komercial të USAID (CLE), ka realizuar trajnimin për gjyqtarë me temë “Kontratat e ndërtimit dhe kontestet ekonomike”.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte thellimi i njohurive të gjyqtarëve si në aspektin teorik ashtu edhe në atë praktik lidhur me përkufizimin në mënyrë të qartë të akteve normative në fushën e ndërtimit dhe zbatimin praktik të dispozitave ligjore që e rregullojnë këtë fushë.
Në fokus të këtij trajnimi ishte elaborimi i kornizës legjislative vendore me theks të veçantë Ligji i Ndërtimit, krahasimet me ligjin e mëparshëm të ndërtimit, Ligji për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje dhe Ligji për Planifikimin Hapësinor.
Në kuadër të trajnimit po ashtu u trajtuan leja ndërtimore dhe fazat e saj, afati për përgjigje të organeve kompetente në kërkesën e palëve për pajisje me leje të ndërtimit, pasojat e mos respektimit të këtij afati dhe e drejta e palëve për mjetin juridik, taksat për leje ndërtimore dhe inspektimet në përfundim të fazave të ndërtimit, trajtimi i ndërtimeve pa leje, procesi i legalizimit dhe roli i gjykatës në këtë procedurë.
Në këtë trajnim prezantoi një eksperte nga SHBA, e cila ishte gjithashtu pjesë e grupit punues në hartimin e Ligjit për Ndërtim në Kosovë, me ç’ rast gjyqtarët pjesëmarrës, në çdo fazë të trajnimit, patën rastin të diskutonin dhe parashtronin pyetje për çështje të cilat kishin interes.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarët e fushës civile nga Gjykata Supreme e Kosovës, gjyqtarë pranë Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Themelore Prishtinë- Departamenti për Çështje Ekonomike.
14-04-2015