Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

14-05-2015

E drejta e Azilit- Legjislacioni Vendor dhe Ndërkombëtar

Më 14 maj 2015, Instituti Gjyqësor i Kosovës në bashkëpunim me UNHCR realizoi trajnimin me temë: “ E drejta e Azilit- Legjislacioni Vendor dhe Ndërkombëtar”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte thellimi i njohurive dhe bashkëpunimit mes institucioneve relevante që janë të ndërlidhura në një formë me azilin, njohja me karakteristikat e ligjit për azilin të Kosovës dhe raporti i tij me konventën ndërkombëtare për azilin.

Fillimisht në këtë trajnim u elaborua e drejta ndërkombëtare e refugjatëve dhe standardet ndërkombëtare me theks të veçantë Konventa e OKB-së për refugjatë e vitit 1951, me ç’ rast pjesëmarrësit u njoftuan lidhur me detyrimet dhe të drejtat themelore të refugjatëve dhe roli i UNHCR-së në mbrojtjen e refugjatëve.

Faza tjetër e këtij trajnimi u fokusua kryesisht në legjislacionin vendor, në veçanti u trajtua Ligji për Azilin i Kosovës si dhe aktet tjera nënligjore që rregullojnë këtë fushë. Në këtë aspekt u shtjelluan të drejtat e azilantit sipas legjislacionit vendor, procedura e trajtimit të kërkesës për azilin dhe kushtet për pezullimin e kësaj procedure si dhe pushimi i të drejtës për azil.

Punimet në fazën e fundit të këtij trajnimi u fokusuan në inicimin e konfliktit administrativ për të drejtën e azilit,  procedura dhe roli i palëve në konflikt administrativ për të drejtën e refugjatit  si dhe procedura ankimore në shkallë të parë dhe shkallë të dytë. Në këtë rrafshe u trajtuan edhe mjetet e jashtëzakonshme juridike lidhur me vendimin e shkallës së dytë.

Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtar të nivelit themelor dhe të apelit, zyrtar nga Ministria e Punëve të Brendshme- departamenti për shtetësi, azil dhe migrim, zyrtarë nga Ministria për Kthim dhe Komunitete si dhe përfaqësues nga OJQ të ndryshme.

Shpërndaje :