Më 26 maj 2015, Instituti Gjyqësor i Kosovës në kuadër të PTV-së realizoi trajnim për gjyqtarë me temë: “ Ndarja e pasurisë së përbashkët të bashkëshortëve dhe bashkëpronësia”.
Ky trajnim synonte që duke shqyrtuar praktikën relevante gjyqësore lidhur me këto dy forma të pronësisë, të kontribuohet në drejtim të avancimit të njohurive dhe shkathtësive profesionale të gjyqtarëve pjesëmarrës me qëllim të unifikimit të standardeve juridike.
Trajnimi kryesisht u fokusua në elaborimin e dispozitave ligjore që e rregullojnë këtë fushë, kuptimin e pasurisë së përbashkët të bashkëshortëve dhe të bashkëpronësisë si dhe identifikimin e elementeve specifike dalluese të këtyre instituteve.
Gjithashtu u zbërthyen bazat, natyra juridike dhe mënyrat e krijimit dhe të shuarjes së pasurisë së përbashkët të bashkëshortëve dhe bashkëpronësisë.
Veçanërisht u trajtua procedura e ndarjes së pasurisë së përbashkët të bashkëshortëve dhe kriteret ligjore që duhet vlerësuar me rastin e ndarjes si dhe procedura e ndarjes së bashkëpronësisë.
Trajnimi u zhvillua me diskutime interaktive në çdo fazë të tij nga gjyqtarët pjesëmarrës të cilët ngritën dilemat dhe paqartësitë rreth interpretimit dhe implementimit në procesin e vendimmarrjes nga gjykatat.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarët e gjykatave themelore.
26-05-2015