Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

05-06-2015

Konferenca Vjetore e Programi i Këshillit të Evropës për Edukimin e Profesionistëve Ligjor për të Drejtat e Njeriut (HELP)

Instituti Gjyqësor i Kosovës ka marrë pjesë në Konferencën Vjetore me temë “Bashkëveprimi në mes të profesionistëve ligjor dhe profesionistëve tjerë” e organizuar nga Programi i Këshillit të Evropës për Edukimin e Profesionistëve Ligjor për të Drejtat e Njeriut (HELP) e cila është mbajtur me datë 4-5 qershor 2015 në Strasbourg.

Në këtë konferencë e cila u përshëndet nga Udhëheqësi i Këshillit të Ministrave, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Kryetari i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe përfaqësues tjerë të departamenteve të Këshillit të Evropës, fokusi kryesor ishte identifikimi i sfidave dhe mundësive të bashkëveprimit të profesionistëve ligjor dhe profesionistëve tjerë me qëllim të organizimit të trajnimit të vazhdueshëm të përbashkët. 

Nga të gjitha diskutimet doli vlerësimi se roli i institucioneve trajnuese në zhvillimin e bashkëpunimit profesional në mes profesionistëve ligjor dhe profesionistëve tjerë është krucial, dhe kërkohet që këto institucione të veprojnë me këmbëngultësi si palë të treta në mes të këtyre profesionistëve, me qëllim të përmirësimit të punës së tyre në funksion të respektimit të të drejtave të njeriut, për faktin se trajnimet e mira nënkuptojnë vendime gjyqësore të mira.

Qasja multidisiplinare në zhvillimin e programeve të trajnimit dhe përfshirjen e profesionistëve të ndryshëm, për institucionet trajnuese është shumë sfiduese, prandaj nëpërmjet kësaj konference do të synohet që këto sfida të tejkalohen u vlerësua gjatë konferencës.

Pjesëmarrësit duke punuar në grupe patën mundësinë që të japin kontributin e tyre që të identifikohen sfidat kryesore, të identifikojnë nevojat për trajnime për përfshirjen në kurrikulën trajnuese të Programit HELP, të propozojnë formatin e trajnimeve si dhe të identifikojnë sfidat dhe nevojat për trajnime të profesionistëve tjerë në raport me profesionistët ligjor lidhur me temat; profesionistët ligjor dhe bioetika, profesionistët ligjor dhe media, profesionistët ligjor dhe azili e refugjatët si dhe profesionistët ligjor dhe lufta kundër keqtrajtimit mjekësor.

Në konferencë u prezantua edhe puna e Programit HELP, kurrikulat e zhvilluara, kurset trajnuese të zhvilluara dhe të organizuara në vende të ndryshme, trajnimet për metodologjinë trajnuese përfshirë edhe trajnimet në distancë (e-learning) dhe u kërkua që këto kurrikula të përfshihen në kurrikulat kombëtare për trajnimin e profesionistëve ligjor dhe profesionistëve tjerë, të secilit vend pjesëmarrës në konferencë. 

 

Shpërndaje :