Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

05-06-2015

VIZITË STUDIMORE PËR ANETARËT E GJYQËSORIT TË KOSOVËS ORGANIZUAR NË BASHKËPUNIM ME QENDRËN PËR STUDIME GJYQËSORE NË PORTUGALI

Nga 1 deri 5 qershor 2015 Instituti Gjyqësor i Kosovës në bashkëpunim me Qendrën për Studime Gjyqësore në Portugali, të përkrahur nga projekti “Mbështetje Reformës së Arsimit Ligjor në Kosovës” - një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian, organizuan një vizitë studimore për përfaqësuesit më të lartë të gjyqësorit dhe prokurorisë së Republikës së Kosovës.

Kjo vizitë kishte për qëllim ngritjen e bashkëpunimit në mes të institucioneve të gjyqësorit dhe prokurorisë së Republikës së Portugalisë dhe Republikës së Kosovës. Vizita gjithashtu kishte si qëllim ngritjen e bashkëpunimit në mes institucioneve trajnuese të dy vendeve në shërbim të ngritjes së kapaciteteve të gjyqtarëve, prokurorëve dhe kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë.

Gjatë kësajë vizite u realizuan takime dhe vizita në Qendrën për Studime Gjyqësore, Këshillin Gjyqësor, Gjykatën Supreme, Gjykatën Kushtetuese, Prokurorinë e Përgjithshme  dhe Këshillin e Lartë Prokurorial të Republikës së Portugalisë. Gjithashtu, për tu njoftuar më për së afërmi me punën e gjykatave dhe prokurorive të Portugalisë u vizitua edhe një gjykatë dhe një prokurori e instancës së parë në qytetin Setubal, në afërsi të Lisbonës.

Në programin e kësaj vizite përfshihej diskutimi lidhur me kompetencat dhe organizimin e sistemit gjyqësor, prokurorial dhe atij kushtetues të Republikës së Portugalisë. Në këtë kuadër pjasmarrësit e vizitës patën rastin të njihen me sistemin e rekrutimit, vlerësimit dhe disciplinimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikësn e Portugalisë. Me rëndësi të veçantë ishte diskutimi për kompetencat e Këshillit Gjyqësor, Këshillit Prokurorial, Gjykatës Supreme, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Gjykatës Kushtetuese portugeze. Ndërsa gjatë qendrimit në qendrën trajnuese portugeze u diskutua për strukturën dhe kompetencat e kësaj qendre, procesin e rekrutimit të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë, përfshirë organizimin e provimit hyrës dhe trajnimit fillestar. Zyrtarë të ndryshëm të qendrës trajnuese portugeze prezantuan përvojat e tyre edhe lidhur me organizimimin e trajnimit të vazhdueshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve, zhvillimin e kurrikulave trajnuese si dhe metodologjinë trajnuese, përfshirë mësimin në distancë (e-learning).

Në përfundim të vizitës, zyrtarë të Qendrës për Studime Gjyqësore e Portugalisë dhe Drejtori i Institutit Gjyqësor të Kosovës u pajtuan që së shpejti të nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi, për mbështetje të programeve të shkëmbimit dhe trajnimit për gjyqësorin dhe prokurorinë e dy vendeve. 

Pjasmarrës në këtë vizitë ishin; Kryetari i Gjykatës Supreme, Kryeprokurori i Shtetit, Kryetari i Gjykatës së Apelit, Kryetari i Këshillit Drejtues dhe Drejtori i IGJK-së, anëtarë të KGJK-së dhe KPK-së. Pjasë e delegacionit ishte edhe udhëheqësja e projektit të BE-së që mbështeti organizimin e kësaj vizite.

Shpërndaje :