Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

29-05-2015

Vizita studimore në Bullgari e organizuar nga Instituti Gjyqësor i Kosovës në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Drejtësisë në Bullgari

Prej datës 18 deri me 29 maj një grup zyrtarësh i përbërë nga gjyqtarë, prokurorë, trajnues gjyqësor, zyrtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës si dhe administratorë të gjykatave realizuan një vizitë studimore në kuadër të një programi praktik-shkëmbimi në institucione të ndryshme të gjyqësorit dhe prokurorisë në Bullgari, i cili është organizuar nga Instituti Gjyqësor i Kosovës, ai i Bullgarisë dhe Projekti i BE-së “Mbështetje e reformës se edukimit gjyqësor në Kosovë”. Gjatë kësaj vizite anëtarët e këtij grupi patën rastin të vizitojnë dhe të njihen me punën e institucioneve kryesore gjyqësore dhe prokuroriale të Bullgarisë.

Në javën e parë me interes kanë qenë takimet në Institutin Nacional Gjyqësor të Bullgarisë, Këshillin Gjyqësor Suprem, Gjykatën Supreme të Kasacionit, Prokurorinë e Shtetit, Inspektoratin Gjyqësor, Ministrinë e Drejtësisë, Gjykatën Supreme Administrative dhe Fakultetin Juridik të Universitetit të Sofjes. Në këto takime grupi ka marrë shpjegime mbi veprimtarinë e këtyre organeve, rezultatet, problemet, metodat e punës dhe sfidat që i kanë ato aktualisht. Gjatë gjithë kohës zyrtarët kosovar kanë shtruar pyetje dhe interesime duke marrë sqarime dhe përvoja të çmueshme nga të gjitha këto organe përmes përfaqësuesve të lartë të tyre.

Ndërsa në javën e dytë grupi është ndarë në tre nëngrupe, ku ndaras kanë vizituar Gjykatën e Qarkut në Plovdiv, Gjykatën e Qarkut në Stara Pazova dhe Gjykatën e Qarkut në Veliko Ternovo. Gjatë takimeve në këto gjykata gjyqtarët, prokurorët dhe zyrtarët e këtyre grupeve kanë marrë njohuri dhe përvoja me dobi nga organet, njësitë, gjyqtarët, prokurorët dhe zyrtarët bullgarë në këto gjykata. Në këto takime ka dominuar paraqitja e punës në hollësi e secilit organ, segment të gjykatave dhe njësive të tyre duke orientuar trajtimin nga interesimi dhe nevojat apo pyetjet që kanë shtruar zyrtarët kosovar.

Ngjarja kryesore ishte nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit me 21.05.2015 në Pallatin e Drejtësisë së Bullgarisë, në mes Institutit Gjyqësor të Kosovës dhe Instituti Nacional i Drejtësisë së Bullgarisë. Ky memorandum u nënshkrua nga Drejtori i Instituti Gjyqësor të Kosovës, z.Lavdim Krasniqi dhe ai i Bullgarisë, z. Dragomir Yordanov.

Kjo vizitë do të fuqizojë dhe do të zgjerojë fushat e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve trajnuese në shërbim të ngritjes së kapaciteteve të gjyqësorit dhe prokurorisë së dy vendeve. 

Shpërndaje :