Më 02 qershor 2015, Instituti Gjyqësor i Kosovës në bashkëpunim me USAID/CLE ka realizuar trajnimin me temë “Teknologjia e informacionit, proceset biznesore dhe ligji”.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte kontributi në aspekt të zgjerimit të njohurive lidhur me çështjet e zakonshme të teknologjisë informative që shfaqen në mosmarrëveshjet tregtare dhe kuptimi i natyrës së kontesteve komerciale në këtë fushë të cilat janë specifike për rrethanat tona dhe që kërkojnë zgjidhje meritore gjyqësore.
Punimet në këtë trajnim kryesisht u fokusuan në trajtimin e koncepteve kryesore lidhur me teknologjinë e informacionit, funksionimin e sistemit të teknologjisë së informacionit dhe rolin e saj në punën e gjyqtarëve në drejtim të qasjes në informata të rëndësishme. Gjithashtu u elaborua legjislacioni në fuqi që rregullon këtë materie, në veçanti u trajtua Ligji për Shërbimet e Shoqërisë Informative, Ligji për Parandalimin dhe Luftimin e Krimit Kibernetikë dhe Ligji për Komunikimet Elektronike.
Metodologjia e trajnimit ishte e karakterit interaktiv, me ç’ rast gjyqtarët pjesëmarrës përmes pyetjeve dhe diskutimeve ngritën dhe parashtruan problemet që hasen në praktikën gjyqësore.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarët civilistë nga Gjykata Supreme e Kosovës dhe gjyqtarët e Gjykatës Themelore Prishtinë - Departamenti për Çështje Ekonomike.
02-06-2015