Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

11-06-2015

Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve në kontestet martesore - familjare

Më 11 qershor 2015, në kuadër të Programit për Trajnime të Vazhdueshme, Instituti Gjyqësor i Kosovës me mbështetjen e UNICEF-it ka realizuar trajnim dy ditor me temë “Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve në kontestet martesore-familjare”.

Qëllimi i këtij trajnimi konsiston në ngritjen e kapaciteteve profesionale në kuptimin e drejt të rolit aktiv të gjykatës dhe organit të kujdestarisë si dhe hetimit me kompetencë të të gjitha rrethanave në bazë të cilave duhet të jepet vlerësimi dhe vendimi profesional në funksion të mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve në kontestet martesore.

Fillimisht u trajtua interpretimi dhe zbatimi i drejtë i dispozitave ligjore vendore dhe konventave evropiane për të drejtat e fëmijëve, lidhur me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve gjatë procedurës së shkurorëzimit, kriteret që merr për bazë gjykata në rastet e besimit, ruajtjes dhe kujdesit ndaj fëmijëve. Gjithashtu u trajtuan alimentacioni, kontaktet me njërin prind në rastet e shkurorëzimit dhe vendosja e gjykatës për këto raste edhe kur nuk ka kërkesë.

Gjatë trajnimit u trajtua edhe rrëmbimi ndërkombëtar i fëmijëve, procedimi dhe trajtimi i kërkesave për kthim për fëmijën në rastin e rrëmbimit, kushtet që duhet plotësuar për tu konsideruar rrëmbim ndërkombëtar i fëmijëve dhe fazat e trajtimit të kërkesave. Në kontekst të kësaj u diskutua për organet kompetente për zhvillimin e procedurës së kthimit të fëmijës, procedura gjyqësore dhe ekzekutimi i vendimeve për kthimin e fëmijës si dhe përmbajtja e kërkesës për kthimin e fëmijës.

Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarët e nivelit themelor dhe mbrojtësit e viktimave.

Shpërndaje :