Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

09-06-2015

Zbatimi i Ligjit për Shtetësinë e Kosovës, procedurat për fitimin e shtetësisë

Me 09 qershor 2015, Instituti Gjyqësor i Kosovës në bashkëpunim me UNHCR ka realizuar trajnim me temë “Zbatimi i ligjit për shtetësinë e Kosovës, procedurat për fitimin e shtetësisë”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte të kontribuoj në evidentimin dhe evitimin e problemeve praktike rreth paqartësive ligjore për mënyrat e fitimit të shtetësisë, humbjes, rifitimit dhe çështje tjera që ndërlidhen me shtetësinë.

Fillimisht u trajtua korniza ligjore ndërkombëtare për personat pa shtetësi, në veçanti u elaborua Konventa Evropiane mbi Shtetësinë, Konventa mbi  Zvogëlimin e Rasteve pa Shtetësi dhe Konventa lidhur me Statusin e Personave pa Shtetësi. Gjithashtu në këtë fazë u diskutua për shkaqet dhe masat e parandalimit të pa shtetësisë, mbrojta e personave pa shtetësi dhe roli i UNHCR në këtë rrafsh.

Faza tjetër e këtij trajnimi u fokusua kryesisht në trajtimin e legjislacionit vendor lidhur me shtetësinë me theks të veçantë u zbërthyen dispozitat e Ligjit për Shtetësinë e Kosovës, që ndërlidhen me  rregullimin e  mënyrave të fitimit, humbjes dhe rifitimit të shtetësisë në Republikën e Kosovës.

Në pjesën perfundimtare të trajnimit u shtjelluan procedurat për fitimin dhe humbjen e shtetësisë dhe afatet për shqyrtimin e kërkesave dhe ankesave sipas Ligjit për Shtetësinë. Gjithashtu u diskutua në lidhje me inicimin e konfliktit administrativ për shtetësi dhe afatet për paraqitjen dhe dorëzimin e padisë, mjetet juridike në konfliktet administrative dhe ankesa në procedurën administrative gjyqësore.

Trajnimi u zhvillua në mënyrë interaktive, me ç’ rast pjesëmarrësit adresuan problemet praktike dhe nevojat për bashkëpunim mes institucioneve relevante që janë të ndërlidhura në një formë me shtetësinë.

Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë të Gjykatës së Apelit - Departamenti Administrativ, gjyqtarë të gjykatave themelore, zyrtarë nga MPB-DASHM, si dhe zyrtarë nga CRPK.

Shpërndaje :