Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

12-06-2015

Trajnimi për Trajnues “Zhvillimi i avancuar i programit për trajnues”

Me datën 11 dhe 12 qershor 2015, Instituti Gjyqësor i Kosovës në bashkëpunim me USAID/EROL ka organizuar Trajnimin për Trajnues lidhur me “Zhvillimin e avancuar të programit për trajnues”.

Ky trajnim synim kryesor kishte avancimin e aftësive dhe strategjive të mësimdhënies së trajnuesve gjyqësor dhe udhëheqësve programor në IGJK. Ky trajnim ishte me dobi për pjesëmarrësit duke i aftësuar ata në hartimin e programeve trajnuese dhe zhvillimin e aftësive të avancuara për trajnime që do të organizohen për gjykatës dhe prokurorë në IGJK.

Në trajnim u shpjeguan edhe strategji dhe metoda të mësimdhënies të bazuara në përvojë që përdoren zakonisht në sistemet gjyqësore të shteteve më të zhvilluara. U shpjeguan dhe u demonstruan praktikisht metodat e mësimdhënies siç janë simulimet, aktrimi, diskutimet në grupe, studimi i rasteve, prezantimet dhe llojet e ndryshme të punës në grupe, dialogu sokratik me të gjitha nuancat e tij.

Me peshë dhe rëndësi për punën e ardhshme të trajnuesve ishin edhe shpjegimi dhe ilustrimi i rregullave të avancuara të diskutimit bashkëkohor, metoda e rrethit të zërave, citatet konfirmuese dhe kundërshtuese, debati kritik dhe shkathtësitë e diskutimit. Gjatë gjithë trajnimit u demonstruan edhe qasjet sfiduese të të rriturve për të hulumtuar në mënyrë alternative të të menduari.

Përfitues në këtë trajnim ishin stafi i IGJK-së që merren me zhvillimin e programeve trajnuese.

Shpërndaje :