Me përkrahjen e projektit “Mbështetje e Mëtejme e Reformës së Arsimit Ligjor në Kosovë” i financuar nga Bashkimi Evropian, është organizuar programi praktik i trajnimit (internship), për prokurorët e Republikës së Kosovës, zyrtarë të Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës. Programi u realizua gjatë periudhës 19-31 korrik në Holandë.
Në këtë program të trajnimit praktik që ishte pothuajse dy javë, nën organizimin e Institutit Gjyqësor të Kosovës dhe Institutit të Trajnimeve Gjyqësore në Holandë (SSR) delegacioni nga Kosova u prit nga shumë institucione të drejtësisë së Holandës.
Ky program praktik i trajnimit kishte për qëllim ngritjen e bashkëpunimit në mes të institucioneve të gjyqësorit dhe prokurorisë së Holandës dhe Republikës së Kosovës, fitimin e përvojave nga sistemi gjyqësor i Holandës në ndërtimin e kapaciteteve të gjyqësorit, punën e gjykatave dhe prokurorive, sistemin gjyqësor, zbatimin e procedurave gjyqësore nga gjyqtarët dhe prokurorët si dhe njohjen me formën e organizimit të punës në gjykata dhe prokurori, duke e vendosur këtë në kontekstin e reformimit dhe decentralizimit të administratës që është duke u bërë nga KGJK në Kosovë.
Gjatë javës së parë ku pjesëmarrësit ishin në një grup të përbashkët është realizuar një program trajnimi në fokus të të cilit u trajtuan temat si: Rregullimi i sistemit të drejtësisë në Holandë nga ana e Këshillit Gjyqësor të Holandës – kompetencat dhe raporti me gjykata dhe prokurori; trajnimi i vazhdueshëm dhe ai fillestar në Holandë - prezantime dy ditore nga Instituti për Trajnime Gjyqësore (SSR) në Utrecht të Holandës;
Delegacioni gjatë javës së parë realizoi një program vizite edhe në Gjykatën Ndërkombëtare Penale (ICC) në Hagë, në Tribunalin e Hagës për Ish Jugosllavi dhe EUROPOL.
Ndërsa në javën e dytë delegacioni është ndarë në dy nëngrupe të cilët kanë realizuar programin në institucionet si: Gjykata e Qarkut në Breda, Prokuroria në Hagë, Prokuroria Publike në Hagë dhe Zwolle, dhe në fund në përmbyllje të programit, grupi nga Kosova u prit nga Ambasadorja e Kosovës në Holandë znj. Vjosa Dobruna.
Pjesëmarrës në këtë program të trajnimit praktik ishin prokurorët e Republikës së Kosovës, zyrtarë të Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe atij të Këshillit Prokurorial të Kosovës, si dhe përfaqësues nga IGJK dhe nga projekti i BE-së “Mbështetje e Mëtejme e Reformës së Arsimit Ligjor në Kosovë”.
31-07-2015