Më 12 gusht 2015, Instituti Gjyqësor i Kosovës në bashkëpunim me USAID, kanë publikuar doracakët e gjyqtarëve për Procedurën Penale dhe Kontestimore.
Doracakët për gjyqtarë të procedurës penale dhe procedurës kontestimore kanë për qëllim të ndihmojnë gjyqtarët në punën e tyre duke ofruar udhëzime të detajizuara praktike për zbatimin e drejtë të ligjit në procedurat gjyqësore. Këta doracak do të ndihmojnë posaçërisht gjyqtarët e rinj, por në të njëjtën kohë janë mjaft të dobishëm edhe për gjyqtarët me përvojë, duke shërbyer si një rikujtim për procedurat rutine, sugjerime për zgjidhjen e rasteve komplekse apo ndihmues në situata të reja të praktikës gjyqësore.
Në këtë ceremoni të publikimit të doracakëve mbajtën fjalë rasti, z. Ymer Hoxha, Kryetar i Këshillit Drejtues të IGJK-së, znj. Sara Buchanan, përfaqësuese e USAID –it, z. Hajredin Kuçi, Ministër i Drejtësisë, z. Enver Peci, Kryesues i Këshillit Gjyqësor dhe z. Aleksandër Lumezi, Kryeprokuror i Shtetit.
Po ashtu për të theksuar rëndësinë e doracakëve për punën praktike të gjyqtarëve në emër të autorëve nga një fjalë rasti kanë mbajtur edhe z. Bashkim Hyseni, Kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj dhe z. Albert Zogaj, gjyqtarë në Gjykatën e Apelit.
Nga folësit u vlerësua se këta doracak do t’i ndihmojnë gjyqtarët në punën e tyre të përditshme, do të kenë më të lehte të marrin vendime për raste të caktuara dhe po ashtu paraqesin një resurs të mirë për menaxhimin efikas të rasteve të tyre.
14-08-2015