Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

08-09-2015

Proceset e tatimimit

Më 08 shtator 2015, në kuadër të Programit të Trajnimeve të Vazhdueshme, IGJK në bashkëpunim me CLE-USAID ka realizuar trajnimin për gjyqtarë me temë “Proceset e tatimimit”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte thellimi i njohurive substanciale të gjyqtarëve mbi sistemin tatimor në Kosovë dhe problemeve të zakonshme gjatë aktiviteteve të mbledhjes së tatimeve, ku shpesh herë obliguesit tatimor kanë tendenca të shmangies nga përmbushja e obligimeve me ç’ rast rezultojnë me konteste gjyqësore me qëllim të pagimit të tyre.

Gjatë zhvillimit të këtij trajnimi është trajtuar legjislacioni i zbatueshëm dhe sfidat kryesore në zbatimin praktik të tij, rishikimi i politikave tatimore, bazat dhe funksionimi i brendshëm i ATK-së. Po ashtu, në kuadër të këtij trajnimi është diskutuar për çështje që ndërlidhen me detyrimet tatimore dhe rishikimine tatimeve kryesore në Kosovë, duke përfshirë tatimin në të ardhura TVSH-në, deklarimin e TVSH-së dhe tatimet e dyfishta, elementet e faturës tatimore, procedurën për rimbursim të TVSH-së, tatimin mbi korporatat, tatimet komunale dhe tatimet në pronë.

Trajnimi ishte i formatit të diskutimeve interaktive të gjyqtarëve pjesëmarrës, të cilët diskutuan dhe ngritën çështje të cilat ishin në fokus të trajnimit.

Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarët e fushës civile nga Gjykata Supreme e Kosovës, gjyqtarë pranë Gjykatës së Apelit- Departamenti për Çështje Ekonomike, si dhe gjyqtarë nga Gjykata Themelore Prishtinë - Departamenti për Çështje Ekonomike dhe Departamenti Administrativ.

Shpërndaje :