Më 17 shtator 2015, Instituti Gjyqësor i Kosovës, ka realizuar trajnimin me temë “Përmbarimi i vendimeve gjyqësore që janë në kompetencë ekskluzive të gjykatave si dhe përmbarimi i vendimeve të huaja”.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte që pjesëmarrësve t’ju ofroj njohuri më të thelluara për kompetencën e organit përmbarues sipas ligjit nr. 04/L-139 për procedurën përmbarimore, pasi që me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, përveç gjykatës kompetente për lejimin dhe zbatimin e përmbarimit janë edhe përmbaruesit privat.
Në fokus të trajnimit u trajtua kompetenca ekskluzive e gjykatave në procedurën përmbarimore e që kanë të bëjnë me çështjet nga e drejta familjare, kontestet e punës, si dhe vendosja lidhur me mjetet juridike të parashtruara ndaj vendimeve për përmbarimin nga përmbaruesit privat.
Po ashtu u trajtua bashkëpunimi juridik ndërkombëtarë në nivel praktik ndërmjet institucioneve të ndryshme gjyqësore vendore dhe ndërkombëtare për eliminimin e dilemave në praktikë lidhur me njohjen e vendimeve të lëshuara nga gjykatat dhe organet e shteteve tjera, në atë drejtim se a duhet të njihen ato vendime duke pasur parasysh faktin e mospajtimit të legjislacionit tonë me ligjet e shteteve tjera, apo mungesën e reciprocitetit me ato shtete.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë dhe bashkëpunëtor profesional të nivelit themelor.
17-09-2015