Më 25 korrik 2022, Drejtori Ekzekutiv i Akademisë së Drejtësisë, Enver Fejzullahu dhe Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, kanë nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit për përmbushjen e përgjegjësive që dalin nga Strategjia për Sundim të Ligjit ndërmjet dy institucioneve respektive.
Qëllimi i këtij Memorandumi është vendosja e bashkëpunimit në mes Akademisë së Drejtësisë dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës për bashkërendimin dhe koordinimin e aktiviteteve me qëllim të realizimit të Strategjisë për Sundimin e Ligjit 2021-2026 përmes të zbatimit të aktiviteteve të parapara në Planin e Veprimit të kësaj strategjie në fushën e trajnimit.
Drejtori Ekzekutiv i AD-së, ka thënë se institucioni që udhëheq ai do të angazhohet për të bërë zbatimin e trajnimeve për sistemin prokurorial, duke ofruar mbështetje profesionale, teknike dhe organizative, në mënyrë që të bëhet ngritja e nevojshme e kapaciteteve të sistemit prokurorial.
Nga ana tjetër, Kryesuesi Maloku, ka thënë me këtë rast se ky memorandum do të fokusohet në përcaktimin dhe garantimin e standardeve të koordinimit dhe ndërlidhjen e sistemeve elektronike për të mundësuar shkëmbimin e informatave në mes të AD-së dhe KPK-së në trajnimin e prokurorëve.
Akademia e Drejtësisë dhe Këshilli Prokurorial do të bëjnë në vazhdimësi shkëmbimin e informatave lidhur me të dhënat për pjesëmarrjen në trajnime dhe aktiviteteve tjera të përbashkëta.
25-07-2022