Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

07-12-2012

Tryeza diskutimesh: “Koordinimi i Institucioneve në nivel lokal në fushën e Drejtësisë për Fëmijë”

Më 4, 6 dhe 7 nëntor 2012, IGJK në bashkëpunim UNICEF-in ka organizuar tryeza  diskutimesh në regjionin e Gjilanit, Prizrenit dhe Pejës me përfaqësuesit e institucioneve të drejtësisë për fëmijë në nivel regjional.

Tryezat kishin për qëllim diskutimin e problemeve dhe sfidave në drejtësinë për fëmijë në nivel regjional.
Përfaqësuesit e gjykatave dhe prokurorive në këto regjione theksuan mungesën e institucioneve adekuate ku do të mund të dërgoheshin të miturit pasi t’i shqiptohej masa ashtu siç i parasheh Kodi i Drejtësisë për Fëmijë.

Një problem tjetër ishte edhe numri  i vogël i gjyqtarëve dhe prokurorëve për të mitur në këto regjione. Prokurorët shprehen shqetësimin e tyre për rastet kur kanë të bëjnë me delinkuentët nën moshën 14 vjeçare, sipas nenit 41 të KDM, dhe nuk marrin asnjë raport nga Organi i Kujdestarisë për veprimet e ndërmarra nga ana e tyre. Ndodh shpesh që fëmija të paraqitet përsëri në prokurori. Zbatimi i nenit 54 të KDM-së, në praktikë, është një prej shqetësimeve të pjesëmarrësve ngase rastet me të mitur dërgohen vetëm në qytetet kryesore të vendit dhe jo në secilën gjykatë komunale. 
Po ashtu u potencua nevoja e trajnimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të sapoemëruar  për të mitur si dhe trajnimi i policisë ngase ka raste të shpeshta të shkeljeve nga ana e tyre. U diskutua edhe për nevojën e profilizimit të Shërbimit Sprovues dhe Ndërmjetësve.  

Pjesëmarrës në këto tryeza ishin gjyqtarët e gjykatave komunale dhe të qarkut, prokurorët komunal dhe të qarkut, drejtorët regjional të shërbimit sprovues, përfaqësues të qendrës për pune sociale, përfaqësues të departamentit komunal të arsimit, përfaqësues policisë së Kosovës.

Shpërndaje :