Më 26-27 nëntor 2012, IGJK ka mbajtur tryezën dyditore të punës lidhur me modulin “E Drejta Administrative”.
Qëllimi kryesor i kësaj tryeze ishte ofrimi i njohurive për të Drejtën Administrative për gjyqtarët sipas riorganizimit me Ligjin e Ri mbi Gjykatat.
Si rezultat i këtij trajnimi pjesëmarrësit do të jenë në gjendje që:
• të njohin mënyrën e inicimit të procedurës administrative nga organi administrativ, pala e interesuar dhe publiku,
• të interpretojnë drejt dispozitat që kanë të bëjnë me kompetencën, delegimin e kompetencës dhe zgjidhjen e konfliktit për kompetencë të organeve të administratës publike,
• të përkufizojnë nocionin e konfliktit administrativ dhe të zbërthejnë kompetencën e gjykatave në konfliktin administrativ,
• të dallojnë palët në konfliktin administrativ dhe të veçojnë karakteristikat e procedurës së konfliktit administrativ,
• të njohin dhe interpretojnë jurisprudencën administrative të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
Gjatë këtij trajnimi u shtjelluan çështjet që kanë të bëjnë me procedurën administrative, aktin administrativ, konfliktin administrativ si dhe jurisprudencën administrative të GJEDNJ. Gjithanshëm u trajtuan edhe dilemat që përmban Ligji për Gjykatat dhe Ligji për Konfliktet Administrative lidhur me kompetencën e gjykatave.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarët e sapo caktuar në departamentin administrativ si dhe ata të lëmisë civile dhe për kundërvajtje të të gjitha niveleve dhe nga të gjitha regjionet e Kosovës.
27-11-2012