Nga data 20 deri 22 nëntor 2012, në bashkëpunim me Departamentin e Drejtësisë së SHBA-ve, Programi OPDAT, në kuadër të Programit të Trajnimeve për Avancim, është realizuar trajnimi tre ditorë me temë: “Zhvillimi i Shkathtësive të Përfaqësimit gjatë Gjykimit”.
Qëllimi kryesor i këtij trajnimi ishte prezantimi dhe aplikimi i teknikave më të avancuara të përfaqësimit gjatë gjykimit, risi kjo e Kodit të ri të Procedurës Penale i cili pritet të hyjë në fuqi së shpejti.
Çështjet të cilat janë përfshirë gjatë këtij trajnimi, kryesisht kishin të bënin me teknikat e marrjes në pyetje të drejtpërdrejtë, të tërthortë, vënien në dyshim, rimarrjen në pyetje të pandehurve, dëshmitarëve, ekspertëve, si dhe teknikat e paraqitjes së fjalës hyrëse dhe argumentimit përfundimtar, si nga ana e prokurorit ashtu edhe nga ana e avokatit mbrojtës.
Gjatë këtyre trajnimeve pjesëmarrësve ju mundësua që përmes punës në grupe të demonstrojnë shkathtësitë e përfaqësimit gjatë gjykimit, duke punuar rreth një rasti praktik dhe duke përdorur teknikat e prezantuara nga trajnuesit vendor të trajnuar posaçërisht për këtë trajnim.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarët dhe prokurorët e posa emëruar në Gjykatat dhe Prokuroritë e Kosovës.
22-11-2012