Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

15-10-2012

PVAL – Drejtësia për të mitur

Më 08, 09, 11, 12 dhe 15 tetor 2012, IGJK në bashkëpunim me UNICEF, ka organizuar tryeza  diskutimesh një ditore me temë “Parandalimi i Delikuencës së të Miturve”. 

Tryezat ishin të karakterit regjional dhe u mbajtën në Prizren, Pejë, Mitrovicë, Gjilan dhe Prishtinë.
Qëllimi i këtyre tryezave ishte diskutimi i temave që kanë të bëjnë me parandalimin e delikuencës te të miturit.

Ndër temat që u diskutuan ishin fëmijët dhe siguria në shkollë ku përfaqësuesit e policisë dhe të drejtorive komunale të arsimit, prezantuan veprimet dhe mekanizmat që ata kanë krijuar për të krijuar siguri në shkollë.

Në anën tjetër përfaqësuesit e nxënësve prezantuan pikëpamjet e tyre për të gjitha dukuritë negative prezente në shkolla si dhe theksuan pakënaqësitë e tyre me organet përgjegjëse për ndërmarrjen e veprimeve konkrete “në emër të ruajtjes së imazhit të shkollës”. 

Gjatë diskutimeve u shprehen mendime dhe konstatime lidhur me burimet e ndryshme të delikuencës te fëmijët. Ndër ato burime u theksuan; prania e kafiterive afër shkollave në të cilat çdokush mund të porosis pije alkoolike pa marrë parasysh moshën dhe ku zakonisht gjenden persona keqbërës të cilët shumë shpesh i përfshijnë edhe fëmijët në aktivitete ilegale. 
Gjatë këtyre tryezave gjithashtu u konstatua mungesa e institucioneve edukative ku fëmijët me sjellje asociale do të mund të dërgoheshin, mungesa e informacionit te nxënësit dhe mësimdhënësit mbi institucionet e drejtësisë për fëmijë dhe mos organizimi i diskutimeve në shkolla lidhur me rolin dhe përgjegjësitë e këtyre institucioneve.  

Përfaqësues nga policia, qendrat për punë sociale dhe prokuroria theksuan mungesën e raportimit të rasteve nga fëmijët dhe shkollat, lidhur me dhunën brenda shkollave, me ç’rast ata i inkurajuan fëmijët dhe arsimtarët që t’i raportojnë rastet e tilla te organet kompetente.

Pjesëmarrës në këto tryeza ishin gjyqtarët e gjykatave komunale dhe të qarkut, prokurorët komunal dhe të qarkut, drejtorët regjional të shërbimit sprovues, përfaqësues të qendrave për pune sociale, përfaqësues të departamentit komunal të arsimit, përfaqësues të Policisë së Kosovës dhe përfaqësuesit e këshillave të nxënësve në nivel regjional.

Shpërndaje :