Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

01-09-2012

Vizita në Akademinë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publik në Maqedoni

Me qëllim të zhvillimit të mëtejmë të bashkëpunimit ndërinstitucional, Drejtori i Institutit Gjyqësor të Kosovës z. Lavdim Krasniqi me bashkëpunëtorë, me datë 31 gusht 2012 realizoi një vizitë pune në Akademinë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publik në Maqedoni. Ai u prit nga Drejtoresha e Akademisë znj. Aneta Arnaudovska. 

Çështjet me interes dy palësh të cilat u diskutuan gjatë takimit kishin të bënin me trajnimet e realizuara në kuadër të Programit të Vazhdueshëm për Arsimim Ligjor dhe Programit Fillestar për Arsimim Ligjor, e posaçërisht ato rreth trajnimit të detyrueshëm për gjyqtarë, organizmit të trajnimeve të përbashkëta, shkëmbimit të trajnuesve, metodologjisë dhe teknikave trajnuese, programit trajnues për kandidatët për gjyqtarë e prokurorë, provimi pranues për kandidatët, programi për mentorë si dhe shkëmbimet në fushën e publikimeve.

Iniciativat për bashkëpunim regjional në fushën e trajnimeve për gjyqtarë, prokurorë, kandidatët për gjyqtarë e prokurorë dhe profesionist tjerë ishte pikë diskutimi gjatë takimit. Në këtë çështje palët u pajtuan që trajnimet e përbashkëta mund të organizohen në fushën e KEDNJ-së, të drejtën e BE-së si dhe aktivitete tjera të cilat mund të mbështeten nga partnerët e përbashkët ndërkombëtarë. 

Ky takim ishte një nga takimet e rregullta të realizuara ndërmjet dy institucioneve të cilat janë rrjedhojë e aktiviteteve që dalin nga Memorandumi i Mirëkuptimit i nënshkruar nga të dy institucionet në vitin 2009.

Në fund të takimit, drejtuesit e dy institucioneve shprehën gatishmërinë e tyre për bashkëpunim të mëtejmë në intensifikimin e iniciativave të reja për të ngritur cilësinë e trajnimit me qëllim të ngritjes së njohurive të gjykatësve dhe prokurorëve e cila  është tendencë e vazhdueshme e të gjitha shkollave moderne për trajnim e gjyqtarëve, prokurorëve, kandidatëve për këto pozita dhe profesionistëve tjerë.

Shpërndaje :