Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

07-09-2012

Marrëveshja për pranimin e fajësisë ( PTA )

Më 6 dhe 7 shtator 2012, IGJK në mbështetje nga UNDP, në kuadër të Programit të Trajnimeve për Avancim ka realizuar trajnimin me temë “Marrëveshja për Pranimin e Fajësisë”. 

Objektivat kryesore të këtij trajnimi ishin që pjesëmarrësit pas përfundimit të tij të jenë në gjendje të:

• njohin dispozitat adekuate që kanë të bëjnë me marrëveshjen për pranimin e fajësisë,
• njohin veprimet të cilat ndërmerr prokurori për realizimin e marrëveshjes për pranimin e fajësisë,
• zbatojnë drejt procedurën në rastin kur gjykata pranon marrëveshjen për pranimin e fajësisë,
• dinë se iniciues për këtë mund të jetë i akuzuari por edhe prokurori dhe 
• njohin rastet kur gjykata mund të aprovojë apo mos aprovojë marrëveshjen për pranimin e fajësisë.

Gjatë këtij trajnimi u trajtuan në detale marrëveshja për pranimin e fajësisë,  kuptimi prejardhja dhe efekti, negocimi i palëve sipas KPPK, iniciativat, përmbajtja dhe format e marrëveshjes për pranimin e fajësisë, paraqitja e marrëveshjes në gjykatë, pozita e palëve dhe të dëmtuarit në lidhjen e marrëveshjes, seanca gjyqësore për shqyrtimin e marrëveshjes, vendimet e gjykatës me rastin e shqyrtimit të marrëveshjes dhe aktgjykimi që ka bazë marrëveshjen për pranimin e fajësisë-përmbajtja, arsyetimi dhe ankesa. 

Me rastin e trajtimit të marrëveshjes për pranimin e fajësisë u vunë në pah edhe ndryshimet dhe risitë e Projekt Kodit të Procedurës Penale sa i përket këtij instituti. U theksua se sipas këtij projekt kodi, Marrëveshja për pranimin e fajësisë është radhitur në kapitullin e zgjidhjes alternative të çështjeve penale dhe nga interpretimi i dispozitave është parë se i është kushtuar vëmendje e veçantë duke e fuqizuar dukshëm këtë institut. 

Gjatë trajnimit u prezantuan edhe raste nga praktika gjyqësore në Kosovë, shtetet në  rajon, me ç’rast u bënë krahasime të legjislacionit dhe përmes një video incizimi pjesëmarrësit patën rastin të njoftohen me një seancë gjyqësore të shqyrtimit të marrëveshjes për pranimin e fajësisë.

Ky trajnim ka qenë i karakterit regjional dhe përfitues kanë qenë gjyqtarët dhe prokurorët e regjionit të Prizrenit dhe Pejës.

Shpërndaje :