Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

21-07-2012

Vizita në Akademinë e Drejtësisë dhe Institucioneve tjera të Gjyqësisë e Prokurorisë në Turqi

Në kuadër të aktiviteteve për bashkëpunim ndërkombëtar, IGJK ka realizuar një program trajnimi shoqëruar me disa vizita zyrtare në Turqi për 56 kandidatët e gjeneratës së katërt të PFAL të ndarë në dy grupe. Vizita është realizuar nga 09 deri 16 për grupin e parë si dhe 14-21 korrik 2012 për grupin e dytë të kandidatëve. 

Përveç kandidatëve të PFAL, pjesë e grupeve ishin edhe anëtarë të Këshillit Programor dhe stafit të IGJK-së.Vizita kishte si qëllim kryesor njohjen e kandidatëve të PFAL me organizimin dhe funksionimin e Akademisë së Drejtësisë në Turqi dhe njëkohësisht me sistemin gjyqësor të Turqisë.

Gjatë këtij programi u realizuan sesione trajnimi lidhur me ndihmën ligjore ndërkombëtare dhe etikën gjyqësore. Ndërsa vizita janë realizuar në Akademinë e Drejtësisë, Sistemin e menaxhimit elektronik të lëndëve (UYAP), Gjykata, Prokurori, Xhandarmërinë dhe Qendrën e Mbikëqyrjes së Fëmijëve në Ankara si dhe Gjykata dhe Prokurori të qytetit Izmir. 

Gjatë vizitës në Akademinë e Drejtësisë së Turqisë pjesëmarrësit patën rastin të njihen me organizimin dhe funksionimin e këtij institucioni, mënyrën e rekrutimit të kandidatëve, plan programet, kohëzgjatjen e trajnimeve dhe shumë çështje tjera me rëndësi sa i përket arsimimit ligjor të gjyqtarëve, prokurorëve dhe kandidatëve për këto pozita.

Kjo vizitë është realizuar në vazhdën e bashkëpunimit disa vjeçar në mes Institutit Gjyqësor të Kosovës dhe Akademisë së Drejtësisë së Turqisë, me mbështetje nga Agjencia për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtarë i Turqisë (TIKA).

Shpërndaje :