Më 08 tetor 2015, Instituti Gjyqësor i Kosovës ka realizuar trajnimin me temë “Gjykimi i madhorëve për veprat penale të kryera ndaj fëmijës”.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte zhvillimi i mëtejmë i njohurive teorike dhe shkathtësive praktike lidhur me procedurën gjyqësore për veprat penale të kryera ndaj fëmijës, dallimin në mes kësaj procedure dhe procedurës së rregullt dhe në trajtimin e problemeve dhe vështirësive praktike me rastin e zbatimit të kësaj procedure.
Në kuadër të këtij trajnimi u elaborua korniza ligjore që rregullon këtë materie, me theks të veçantë dispozitat e Kodit të Procedurës Penale dhe dispozitat e posaçme të Kodit të Drejtësisë për të Mitur, kushtet dhe mënyrat e veçanta të marrjes në pyetje të fëmijës të dëmtuar me vepër penale dhe përbërja e trupave gjykues në shkallë të parë dhe të dytë.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarët dhe prokurorët e nivelit themelor dhe bashkëpunëtorët profesional.
08-10-2015