Me ftesë të Akademisë së Drejtësisë të Republikës së Turqisë, një delegacion në përbërje të përfaqësuesve nga Këshillit Prokurorial të Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Instituti Gjyqësor i Kosovës, nga data 26-30 tetor 2015 realizuan një vizitë pune në institucionet e drejtësisë së Republikës së Turqisë.
Gjatë qëndrimit në Ankara delegacioni nga Kosova është pritur në takime të ndara nga drejtues të institucioneve më të larta të drejtësisë turke, duke filluar me Kryeprokurorin e Republikës pranë Gjykatës së Kasacionit, që është niveli më i lartë i sistemit të prokurorisë në Republikën e Turqisë, me Ministrinë e Drejtësisë, Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Kasacionit, Gjykatën për Zgjidhjen e Konfliktit të Kompetencave, Gjykatën e Lartë Administrative dhe Akademinë e Drejtësisë.
Gjatë këtyre takimeve delegacioni nga Kosova është njoftuar me organizimin dhe funksionimin e sistemit prokurorial dhe gjyqësor të Republikës së Turqisë. Me theks të veçantë në këto takime është diskutuar edhe për luftën kundër krimit të organizuar, krimit transnacional dhe luftën kundër terrorizmit.
Gjithashtu, është biseduar edhe për intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të drejtësisë së dy vendeve, në drejtim të ngritjes së kapaciteteve profesionale të prokurorëve, gjyqtarëve dhe stafit mbështetës të sistemit prokurorial dhe gjyqësor të Republikës së Kosovës.
30-10-2015