Më 11 nëntor 2015, në kuadër të PTV-së, Instituti Gjyqësor i Kosovës ka mbajtur trajnim me temë “Krimet e luftës”.
Trajnimi u organizua me qëllim të zgjerimit të njohurive të gjyqtarëve dhe prokurorëve për çështjet që kanë të bëjnë me hetimin, ndjekjen dhe gjykimin e rasteve të krimeve të luftës, në drejtim të ngritjes dhe përgatitjes së tyre profesionale me rastin e marrjes së kompetencave nga gjyqtarët dhe prokurorët ndërkombëtar për ti trajtuar këto çështje.
Në këtë trajnim u angazhuan në cilësinë e panelistëve, gjyqtarë dhe prokurorë nga EULEX-i, të cilët trajtuan kuadrin ligjor vendor dhe ndërkombëtar për krimet e luftës, diskutuan për marrjen e dëshmive dhe llojet e provave për krimet e luftës, masat mbrojtëse dhe rëndësinë e krijimit të një skeme efikase për mbrojtjen e dëshmitarëve, në drejtim të hetimit efektiv të krimeve të luftës. Gjithashtu u elboruan forma të ndryshme të përgjegjësisë penale individuale, duke përfshirë përgjegjësinë urdhëruese.
Trajnimi ishte i karakterit interaktiv, ku pjesëmarrësit ngritën çështje për diskutim dhe parashtruan pyetje për temat në fokus të trajnimit.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë të nivelit themelor dhe prokurorë të nivelit themelor, të apelit dhe të Prokurorisë Speciale.
11-11-2015