Më 12 nëntor 2015, Instituti Gjyqësor i Kosovës ka realizuar trajnimin për gjyqtarë dhe prokurorë me temë “Veprat penale kundër ekonomisë”.
Ky trajnim synonte të kontribuoj në thellimin e njohurive teorike dhe praktike të gjyqtarëve dhe prokurorëve, lidhur me zbatimin e drejtë të dispozitave ligjore që mbulojnë këtë fushë, lidhur me identifikimin dhe kualifikimin e drejtë të krimeve ekonomike dhe të ngritin bashkëpunimin me organet kompetente në luftën e këtij lloj krimi.
Trajnimi u fokusua në trajtimin e llojeve të krimeve ekonomike, atë të shmangies nga tatimi, kontrabandimit dhe tregtisë së ndaluar, si dhe lloje të tjera që futen në kuadër të këtyre veprave. Në këtë kuadër u elaborua dhe ndërlidhja e këtyre veprave me korrupsionin, sekuestrimi i pasurisë së përfituar me anë të kryerjes së veprave kundër ekonomisë, dhe rëndësia e luftimit të këtyre veprave nga organet kompetente.
Metodologjia e zhvillimit të këtij trajnimi ishte e kombinuar, me shpjegime teorike dhe raste praktike, me ç’ rast pjesëmarrësit u ndan në grupe punuese dhe u angazhuan në elaborimin e rasteve studimore.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë dhe prokurorë të nivelit themelor.
12-11-2015