Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

21-11-2015

Program i Specializuar Trajnimi për Prokurimin Publik të Kosovës - Sesioni II

Më 20-21 nëntor, Instituti Gjyqësor i Kosovës ka realizuar sesionin II të programit trajnues “Program i Specializuar Trajnimi për Prokurimin Publik të Kosovës”.

Qëllimi i këtij sesioni trajnues ishte trajtimi i legjislacionit të dobishëm në dispozicion për këtë fushë, analizimi i praktikave rreth fazës së implementimit të kontratës dhe sfidave në hetimin dhe gjykimin e veprave penale, si dhe koordinimi ndërinstitucional në luftimin e veprave të kësaj natyre.

Temat në fokus të këtij trajnimi kishin të bëjnë kryesisht me fazën e implementimit të kontratës dhe rreziqet e korrupsionit në këtë fazë, faktorët që ndikojnë në paraqitjen e këtyre veprave, skemat e kurdisjes së ofertave dhe të korrupsionit në prokurimin publik.

Gjithashtu në këtë sesion trajnues, u elaborua planifikimi i hetimit, ndjekjes, dhe rëndësia e krijimit të një strukture të hetimit. Në këtë kuadër u diskutua përmbajtja e planit të hetimit, identifikimi i burimeve të informacionit, përgatitja e dosjes së hetimit. Ndër të tjera në trajnim u shtjellua dhe menaxhimi i kontratës, përmbajtja e dosjes së tenderit, ndërprerja e kontratës nga autoriteti kontrollues si dhe mbyllja apo përmbushja e kontratës.

Trajnimi u zhvillua në mënyrë interaktive, me diskutime, ku pjesëmarrësit ngritën dhe trajtuan sfidat që hasen në këtë fushë.

Përfitues të këtij programi trajnues ishin gjyqtarë, prokurorë, zyrtarë nga ATK, NJIF, Dogana, AKK.

Shpërndaje :