Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

23-11-2015

Shpëlarja e parave dhe financimi i terrorizmit

Më 23 nëntor 2015, në kuadër të Programit për Trajnim të Vazhdueshëm (PTV), IGJK ka realizuar trajnimin me temë “Shpëlarja e parave dhe financimi i terrorizmit”.

Synimi i këtij trajnimi ishte thellimi i njohurive teorike dhe praktike tek gjyqtarët dhe prokurorët pjesëmarrës, në drejtim të identifikimit dhe klasifikimit të rasteve kur kemi të bëjmë me veprat penale të shpëlarjes së parave dhe identifikimit të elementeve të veprave penale të terrorizmit.

Fillimisht në trajnim u trajtua roli dhe autoriteti i Njësisë së Inteligjencës Financiare (NJIF), në hetimin dhe zbulimin e këtyre veprave penale, me ç’ rast u potencua rëndësia e bashkëpunimit me këtë institucion dhe institucionet tjera relevante. Më tej, punimet në këtë trajnim u fokusuan në elaborimin e kornizës ligjore, me theks të veçantë, dispozitat e Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimit të Terrorizmit, format e kryerjes, fazat e pastrimit të parave dhe  mënyrat efikase për hetim, zbulim dhe ndjekje penale për pastrim të parave.

Ndër të tjera u trajtuan dhe veprat penale të financimit të terrorizmit, elementet, fazat e kryerjes së kësaj vepre, indikatorët që ndikojnë në paraqitjen e saj, si dhe format adekuate për mbikëqyrjen e financimit të terrorizmit, në kontest të përpjekjes për parandalimin e kësaj dukurie, e cila po paraqitet si një sfidë e madhe.

Metodologjia e realizimit të këtij trajnimi ishte e kombinuar, teori dhe raste praktike, me ç’ rast u zhvilluan diskutime për çështjet në fokus të trajnimit.

Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë dhe prokurorë të nivelit themelor.

Shpërndaje :