Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

04-11-2015

Kontestet ekonomike nga fusha e sigurimeve

Më 04 nëntor 2015, Instituti Gjyqësor i Kosovës në kuadër të PTV në bashkëpunim me CLE-USAID, ka realizuar trajnimin me temë “Kontestet ekonomike nga fusha e sigurimeve”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte thellimi i njohurive të gjyqtarëve me legjislacionin në fuqi lidhur me kontestet ekonomike në lëmin e sigurimeve, rolin, funksionet dhe organizimin e sigurimeve, llojet e sigurimeve dhe burimet e së drejtës në sigurime.

Në këtë trajnim u  trajtuan elementet e Kontratës së Sigurimit duke u shoqëruar me raste nga praktika. Në vazhdim u shpjeguan kontrata e sigurimit dhe pasojat e mos pagesës së primit, kontrata e sigurimit me raste nënsigurimi, mbisigurimi dhe sigurimi i dyfishtë dhe kontrata e sigurimit në rastin e lajmërimit të pasaktë të rrethanave të rëndësishme për vlerësimin e rrezikut. Gjithashtu u trajtuan edhe sigurimi i përgjegjësisë, suborgimet dhe regreset të zbërthyera me raste nga praktika.

Në një sesion të veçantë është trajtuar përgjegjësia për shkaktimin e dëmit, kamatëvonesa dhe parashkrimi në sigurime të shoqëruara me raste nga praktika rreth zbatimit të principit të përgjegjësisë subjektive, objektive dhe solidare në raport me personat e tretë dhe të zbatimit të kamatëvonesës me "lex specialis" dhe parashkrimi i kërkesave të drejtpërdrejta dhe të subrogimit dhe regresit.

Gjatë këtij trajnimi u aplikuan metoda të shpjegimit të pjesshëm teorik, bashkëbisedimit interaktiv dhe pyetje-përgjigje. Po ashtu u përdor edhe komentimi i dispozitave ligjore që kanë të meta dhe shembuj nga praktika gjyqësore. Me vlerë të posaçme ishte edhe materiali arsimor i shpërndarë për pjesëmarrës.

Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarë të Gjykatës Supreme, gjyqtarë të departamenteve ekonomike dhe administrativ të Gjykatës së Apelit, Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe departamenteve të përgjithshme (divizioneve civile) të gjykatave themelore.

Shpërndaje :