Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

04-11-2015

Inaugurimi i Bibliotekës së Institutit Gjyqësor të Kosovës

Me 04 nëntor 2015, Instituti Gjyqësor i Kosovës në mbështetje të projektit të financuar nga BE “Mbështetje e mëtejme për Reformën e Arsimit Ligjor në Kosovë” mbajti ceremoninë e inaugurimit të bibliotekës ligjore të IGJK-së.

Të pranishmëve në këtë ceremoni iu drejtuan z. Ymer Hoxha, kryetar i Këshillit Drejtues të IGJK-së, nga zyra e BE-së z. Christoff Stock, ndërkaq nga ekipi i projektit të lartpërmendur znj. Katya Dormisheva si dhe Ligita Gjortlere.

Z. Ymer Hoxha në fjalën e tij mes tjerash tha “Se krijimi i kësaj biblioteke është një hap shumë i rëndësishëm sepse do të ju mundësojë qasje në burimet ligjore si në formë të shtypur ashtu edhe në atë elektronike përfituesve të IGJK-së. Prandaj për këtë falënderoj Zyrën e Bashkimit Evropian dhe projektin e IRZ për kontributin e dhënë në këtë drejtim si dhe inkurajojë gjyqtarët dhe prokurorët që ti shfrytëzojnë këto resurse që ofron kjo bibliotekë sepse janë ndihmesë në punën e përditshme që ata bëjnë”

Në fjalën e tij, z Christoff Stock, foli veçmas për koleksionet mbresëlënëse të botimeve ligjore në gjuhën angleze për çështjet ndërkombëtare dhe evropiane të ligjit, duke përfshirë abonimet 3-vjeçare në revistat kryesore ligjore dhe bazat e të dhënave.

Në këtë ceremoni u theksua se “bashkëpunimi i projektit me Institutin Gjyqësor të Kosovës ka dhënë rezultate në krijimin e kësaj biblioteke me standarde ndërkombëtare, e cila ofron burime ligjore të nevojshme për gjyqtarë, prokurorë si dhe stafin mbështetës të gjykatave dhe prokurorive”.

Gjatë prezantimit, janë promovuar platformat përmes të cilave operon biblioteka ligjore, databazat ligjore ndërkombëtare që janë të qasshme për përfituesit e IGJK-së pastaj edhe inventarizimi dhe hapësira e cila është inkurajuese për studim dhe hulumtim për gjithë përfituesit e IGJK-së.

Në këtë ceremoni morën pjesë kryetarë të gjykatave, kryeprokuror të prokurorive, gjyqtarë, prokurorë, përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Shpërndaje :