Më 02 dhjetor 2015, Instituti Gjyqësor i Kosovës në kuadër të Programit të Trajnimeve të Vazhdueshme (PTV), në bashkëpunim me projektin e BE-së “Mbështetje për Agjencionin për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara”, ka realizuar trajnimin me temë “Vendimi para-final për shitjen e aseteve të konfiskuara që janë subjekt për konfiskim”.
Ky trajnim kishte për qëllim avancimin e shkathtësive profesionale të prokurorëve lidhur me kërkesën e tyre për shitje të aseteve të konfiskuara që janë subjekt i konfiskimit para urdhrit përfundimtar për konfiskim, të vlerësojnë rastet kur duhet të kërkojnë shitjen, dhe të familjarizohen me manualin udhëzues të përgatitur për prokurorë.
Gjatë këtij trajnimi prezantoj një prokuror nga Mbretëria e Bashkuar, i cili kishte bërë një analizë rreth legjislacionit të disponueshëm vendor për konfiskimin në Kosovë duke e krahasuar me atë të BE-së. Ai bashkërisht me prokurorët dhe gjyqtarët vendor, trajtuan rrugët më efikase drejtë konfiskimit, fazat për një proces konfiskimi të efektshëm, masat e përkohshme për sigurimin e pasurisë dhe shitjes së pronës para konfiskimit, sekuestrimi i përkohshëm si baza dhe llojet për shitjen e pasurive së sekuestruara. Në kuadër të këtij trajnimi po ashtu u shtjellua konfiskimi, provat në gjykim, dhe urdhri i gjykatës për konfiskim pas gjykimit përfundimtar.
Trajnimi u zhvillua në formatin e diskutimeve interaktive, u ngritën dilema dhe u paraqitën sfidat në praktikën gjyqësore aktuale.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë dhe prokurorë të nivelit themelor, zyrtarë nga Agjencioni për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara si dhe zyrtarë nga Zyra e Koordinatorit Kombëtar për luftimin e krimit ekonomik.
02-12-2015