Më 04-05 shkurt 2016, Instituti Gjyqësor i Kosovës me mbështetjen nga UNICEF ka realizuar sesionin e parë të Modulit Drejtësia për Fëmijë - aspekti civil, me temë “Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve pa kujdes prindëror”.
Qëllimi i trajtimit të kësaj teme konsiston në rëndësinë dhe nevojën e zbatimit të drejtë nga ana e gjyqësorit të ligjeve dhe akteve tjera normative si dhe instrumenteve ndërkombëtare për çështjet qe i referohen procedurës gjyqësore për dhënien e mbrojtjes juridike për të drejtat e fëmijëve pa përkujdesje prindërore.
Në kuadër të këtij trajnimi, fillimisht, u elaborua adoptimi si formë e mbrojtjes së veçantë të këtyre fëmijëve, nocioni, kushtet dhe nevojat për themelimin e adoptimit, procedura gjyqësore e themelimit të adoptimit si atij vendor po ashtu edhe procedura gjyqësore e adoptimit me element ndërkombëtar. Në këtë kuadër u trajtuan dhe bashkëpunimi i gjykatës dhe i organit të kujdestarisë në procedurën e adoptimit si dhe vendimet e gjykatës për adoptimin.
Më tej, punimet u fokusuan kryesisht në temat lidhur me vendosjen e fëmijës në familjen tjetër si formë e organizuar shoqërore e përkujdesjes ndaj fëmijëve pa kujdes prindëror dhe roli i Qendrës për Punë Sociale në këtë aspekt, si në rastet e vendosjes së fëmijës në familjen tjetër nga ana e prindërve po ashtu dhe në rastet e vendosjes së organizuar të fëmijës në familjen tjetër.
Gjithashtu, çështje me rëndësi e trajtuar në kuadër të këtij trajnimi ishte mënyra dhe metodat e komunikimit të gjykatës me fëmijët në procedurën gjyqësore me qëllim të parapërgatitjes së fëmijës, dhe parimi i interesit më të lartë të fëmijës
Kujdestaria si institut me karakter shoqëror, organi i kujdestarisë si organ kompetent për mbrojtje të drejtave të fëmijëve dhe mënyrat e ushtrimit të kujdestarisë, ishin temat që po ashtu u shtjelluan. Në këtë pjesë po ashtu u diskutua në lidhje me ushtrimin, pezullimin, kufizimin dhe heqjen e të drejtës prindërore.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë pranë gjykatave themelore, bashkëpunëtor profesional dhe zyrtarë nga Qendra për Punë Sociale në Prizren dhe Qendra për Punë Sociale në Suharekë.
05-02-2016