Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

24-02-2016

Krimi i Organizuar

Më 23-24 shkurt 2016, në kuadër të Programit të Trajnimeve të Vazhdueshme (PTV), Instituti Gjyqësor i Kosovës ka realizuar trajnim dy ditor me temë “Krimi i Organizuar”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte që të kontribuoj në thellimin e njohurive të pjesëmarrësve rreth karakteristikave dhe formave të paraqitjes së krimit të organizuar si vepra penale komplekse, trajtimi i sfidave dhe praktikave më të mira eventuale të institucioneve përgjegjëse për luftimin dhe parandalimin e krimit të organizuar, si një ndër krimet më të rënda që përbëjnë kërcënim serioz për shtetin e së drejtës.

Fokusi i këtij trajnimi ishte elaborimi i legjislacionit vendor dhe atij ndërkombëtar që rregullon këtë fushë, koncepti i krimit të organizuar, elementet e veprave penale të krimit të organizuar, format kryesore të veprave penale të krimit të organizuar, kategoritë e kryerësve të këtyre veprave me fokus veprat penale të krimit të organizuar ekonomik. Më tej, u trajtua hetimi i krimit të organizuar ekonomik, planifikimi i hetimeve financiare, masat dhe veprimet hetimore, teknikat e rregullta dhe të posaçme hetimore, si dhe metodat bashkëkohore të hetimeve të integruara financiare, përfshirë metodën direkte dhe indirekte të të provuarit.

Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë të nivelit themelor dhe të apelit, prokurorë të nivelit themelor si dhe hetues nga Policia e Kosovës.

Shpërndaje :