Më 25 shkurt 2016, Instituti Gjyqësor i Kosovës në bashkëpunim me UNHCR ka realizuar trajnimin me temë “ E drejta e Azilit- Legjislacioni Vendor dhe Ndërkombëtar”.
Trajnimi kishte si qëllim ngritjen e njohurive rreth legjislacionit vendor, akteve ndërkombëtare si dhe praktikat e krijuara nga GJEDNJ për të drejtën e azilit, si dhe fuqizimin e bashkëpunimit dhe koordinimit mes institucioneve relevante që në një formë janë të ndërlidhura me azilin.
Fillimisht në këtë trajnim u elaboruan burimet ndërkombëtare për të drejtën e azilit, korniza ligjore ndërkombëtare në këtë fushë dhe ndërlidhja me legjislacionin vendor si dhe roli i UNHCR-së në mbrojtjen e të drejtave të refugjatëve.
Faza tjetër e këtij trajnimi u fokusua kryesisht në legjislacionin vendor, në veçanti u trajtua Ligji për Azilin i Kosovës si dhe aktet tjera nënligjore që rregullojnë këtë fushë. Në këtë aspekt u shtjelluan të drejtat e azilkërkuesit sipas legjislacionit vendor, procedura e trajtimit të kërkesës për azilin dhe kushtet për pezullimin e kësaj procedure si dhe pushimi i të drejtës për azil. Në këtë kuadër u diskutua rreth rolit dhe funksionit të organizatave jo qeveritare në mbrojtjen e të drejtave të refugjatëve.
Faza e fundit të këtij trajnimi u fokusua në trajtimin e inicimit të konfliktit administrativ për të drejtën e azilit, padia dhe afatet për inicim të konfliktit administrativ, procedura dhe roli i palëve në konflikt administrativ, si dhe zhvillimi i procedurës ankimore. Në këtë rrafshë u trajtuan edhe rrethanat e kundërshtimit të aktit administrativ përfundimtar.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë të nivelit themelor, Departamenti për Çështje Administrative, zyrtarë nga Policia e Kosovës, anëtarë nga Komisioni Kombëtar për Refugjatë të Kosovës si dhe përfaqësues nga OJQ të ndryshme si CRPK dhe KRCT.
25-02-2016